Për rreth një muaj ishin në një qëndrim e një grup, por ish-u.d. së kryeprokurorit Besim Kelmendi dhe anëtari i KPK-së Dardan Vuniqi, ndryshuan qëndrim për ndryshimin e emrit të u.d. së kryeprokurorit. Veton Shabani e disa anëtarë të tjerë kanë kërkuar që Kelmendi t’i paraqesë arsyet e tërheqjes para Këshillit.
Dyshime për arsyet e tërheqjes së Besim Kelmendit nga pretendimi i pozitës së ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit ka shprehur zyrtarisht anëtari i Këshillit Pokrurorial, Veton Shabani.
Si Kelmendi, ashtu edhe anëtari Dardan Vuniqi kanë ndryshuar qëndrime – Kelmendi duke u tërhequr e Vuniqi duke e bërë kuorumin për zgjedhjen e u.d. së kryeprokurorit Agron Qalaj, në mbledhjen e 22 dhjetorit.
Në përgjigjen që ia ka kthyer kryesuesit në ftesën për mbledhjen e 282-të të KPK-së, Shabani kërkoi të sqarohet se a po tërhiqet me apo pa presion Besim Kelmendi nga pozita e u.d. së kryeprokurorit.
“Është e domosdoshme të sqarohet: a ka ardhur kjo shkresë për lirim nga detyra me vullnet të lirë apo si pasojë e ndonjë trysnie? Veçanërisht duke pasur parasysh faktin se kjo ndodh menjëherë pas fitoreve në instancat gjyqësore. Pa u sqaruar këto rrethana në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe institucionale, nuk mund dhe nuk do të bëhem pjesë e vendimeve të tilla komprometuese. Për rrjedhojë, nuk do të marr pjesë në këtë takim”, thuhet në përgjigjen e Shabanit.
Edhe anëtari tjetër Visar Krasniqi, kërkoi të thirret Kelmendi për t’i sqaruar drejtpërsëdrejti arsyet e largimit.
“Çështje të kësaj natyre, me ndikim të drejtpërdrejtë institucional dhe ligjor, kërkojnë transparencë të plotë, diskutim të drejtpërdrejtë dhe përgjegjësi personale, të cilat nuk mund të zëvendësohen me komunikim të shkurtër elektronik” tha ai.
Ish-ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit Kelmendi, i pyetur lidhur me pretendimet e Veton Shabanit për presion, tha se nuk ka ç’të shtojë, përveç asaj që është bërë publike deri më tani.
Kelmendi bëri betejë ligjore e edhe mbajti konferencë për media bashkë me disa nga anëtarët pas shkarkimit të kundërligjshëm të tij, por pasi e fitoi padinë në Gjykatën Supreme, ai u tërhoq nga pretendimi i pozitës së kryeprokurorit.
E anëtari Dardan Vuniqi, i cili ishte larguar nga mbledhja ashtu si Visar Krasniqi, Arian Gashi e Veton Shabani votoi kundër zgjedhjes së Qalajt, në mbledhjen e 22 dhjetorit, por e bëri kuorumin për zgjedhjen e tij në pozitën e u.d. së kryeprokurorit.
I pyetur lidhur me bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Qalajt dhe atë se a ka ndërruar kamp, ai ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e asnjë kampi.
“Unë i jam përgjigjur ftesës për pjesëmarrje në mbledhje, ashtu siç kam bërë gjithmonë. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e grupeve apo kampeve brenda KPK-së, por pjesë e parimeve që i kam proklamuar publikisht dhe vazhdimisht. Kam marrë pjesë në mbledhje për faktin se kauza jonë për ligjshmëri dhe për kthimin e z. Kelmendit në pozitën e tij tashmë kishte ndodhur, dhe në këto rrethana nuk kishte më arsye për të vazhduar forma bojkoti apo diçka të ngjashme”, ka thënë Vuniqi.
Në KPK, që kryesohet aktualisht nga Ardian Hajdaraj, kanë thënë se vendimet e fundit kanë qenë publike, pro nuk kanë treguar nëse këtë vit do të mbahet edhe ndonjë mbledhje tjetër.