Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Njohësit: LVV-ja mund t’i ndryshojë kandidatët për president

Konjufca e Kollçaku kalojnë filtrin e Komisionit për kandidaturat për president

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Sipas profesorëve të së Drejtës Kushtetuese dhe Ndërkombëtare, Lëvizja Vetëvendosje mund të ndërrojë kandidatët për president, t’i tërheqë nënshkrimet dhe t’i ofrojë ato për kandidatura të tjera po qe se arrin marrëveshje politike me ndonjë subjekt opozitar. Njohësit kanë theksuar se LVV-ja duhet të tregojë vullnet politik që ta inkorporojë edhe opozitën në këtë proces, për të dalë prej tij me sukses

Kushtetuta e Kosovës nuk ka ndonjë pikë që e specifikon ndërrimin apo tërheqjen e kandidatëve për postin e President gjatë procesit për zgjedhjen e tij.

Profesorë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Kushtetuese kanë vlerësuar se nuk ekziston dispozitë direkte që e ndalon ndërrimin e kandidatëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka theksuar në emisionin Konfront të KTV-së se pas tërheqjes së kandidatëve, që në rastin aktual janë Glauk Konjufca dh Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deputetët mund t’i japin nënshkrimet e tyre për kandidatë të tjerë.

“Askush nuk mund t’i ndalë kandidatët që të tërhiqen, nënshkrimet mund t’i japin diku tjetër, nëse tërhiqen këta duhet t’i gjejnë dy kandidatë të tjerë brenda 34 ditësh dhe të përfundojnë punë brenda atyre ditësh”, ka theksuar ai.

Edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese, Ditar Kabashi, ka theksuar se tërheqja apo ndërrimi i kandidatëve mund të ndodhë dhe se për këtë çështje nuk duhet të bëhen interpretime të ngurta juridike.

“Procedura ka nisur por nuk është zhvilluar asnjë votim. Mendoj që duhet të ketë një fleksibilitet nuk ka një normë të ngurtë që e ndalon këtë gjë dhe ajo që nuk ndalohet lejohet”, ka theksuar ai në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.

Deri më tash, Vetëvendosje ka konsumuar 64 nënshkrime për dy kandidatët për president, duke e lënë kësisoj mundësinë për edhe vetëm një kandidaturë që mund të vijë nga radhët e partive që janë në opozitë.

Për ta zgjedhur presidentin, deputetët kanë kohë 34 ditë, afat ky që ka nisur të rrjedhë që nga 25 marsi. Afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, në aktvendimin e nxjerr lidhur me vlerësimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Në partitë politike opozitare, votat e të cilave janë të nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri, deri më tash janë shprehur kundër kandidaturave politike për postin.

E kryetarja e Kuvendit dhe njëherësh nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se negociatat për zgjedhjen e presidentit duhet të jenë serioze dhe jo vetëm sa për paraqitje.

“Nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë”, ka theksuar ajo. 

Por, analisti politik, Afrim Kasolli, ka vlerësuar se këtë lloj serioziteti duhet që ta tregojë LVV-ja si forcë e parë politikë teksa ka theksuar nevojën për përfshirjen e opozitës në procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Ajo duhet ta bëjë hapin e parë që të demonstrojë vullnet, të demonstrojë gatishmëri që është e gatshme të marrë në konsideratë edhe preferencat e subjekteve opozitare në mënyrë që të gjendet një emër i pranuar”, ka thënë Kasolli.

Zgjedhja e presidentit ka dështuar më 5 mars si pasojë e mungesës kuorumi vendimmarrës në Kuvendi, shkaku që në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm deputetët nga grupi parlamentar i LVV-së dhe ata të partive nga radhët e pakicave joserbe.

Kryeparlamentarja Haxhiu ka theksuar se kjo seancë nuk është mbyllur dhe se ajo do të vazhdojë “sapo të krijohen kushtet”. Ajo ka shtuar se kryeministri Albin Kurti veçse ka kërkuar takime me subjektet opozitare.

Kurti u ka dërguar ftesa kryetarëve të Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) në kohën kur ende nuk u pati publikuar aktgjykimi i Kushtetueses. Në të dy këto parti kanë shprehur gatishmëri për takim pas aktgjykimit, porse që nga publikimi i aktgjykimit nuk është paralajmëruar ndonjë takim.

“Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy rundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, ka theksuar Haxhiu.

Në aktgjykimin e Kushtetueses është specifikuar se Kuvendi shpërndahet në tri raste – nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy e treta e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda së cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, është thënë në vendimin e Kushtetueses.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura për zgjedhjen e presidentit “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, theksohet në vendim.

Pas aktgjykimit, në LVV kanë thënë se ky moment duhet të shfrytëzohet “për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”. Në PDK kanë thënë se e respektojnë vendimin dhe se në ditët në vijim do t’i bëjnë publikë vendimet politike që do t’i ndërmarrin.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit bie mbi LVV-në, duke shtuar se për këtë çështje duhet marrëveshje politike mes partive.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati pesëvjeçar i përfundon më 5 prill. Osmani e pati shprehur synimin për edhe një mandat, porse ajo nuk është propozuar për këtë post. Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.