Arbëri

Nuk anulohen kushtet ndërtimore në Badovc, pronari i tokës paralajmëron ankesë në Arbitrazh

Foto: Driton Paçarada / KD

Të shumtë janë ata që iu gëzuan vendimit obligues të Ministrisë së Ambientit ndaj Komunës së Prishtinës për anulimin e kushteve të ndërtimore në Badovc.

Por, këto kushte vazhdojnë të mbesin akoma në fuqi.

Ndonëse ka kaluar gati një javë nga publikimi i vendimit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se nuk është në dijeni nëse ky vendim ka mbërritur në komunë, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Për këtë çështje, komuna apo ministria ose të dyja bashkë do të përballen me padi.

Pronari i hapësirës ku është planifikuar ndërtimi ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për shkelje të të drejtave të njeriut.

Anulimin e mundshëm të kushteve, ai e quan tradhti.

Rahman Haradini, pronar i tokës në Badovc, që bashkë me kompanitë “Kawa Group” dhe “4M Grop” kanë planifikuar ndërtimin e 17 vilave afër liqenit, ka thënë se nuk heq dorë nga ky projekt.

Gjatë shqyrtimit të vendimit për anulim, kryetari Ahmeti ka thënë se do të sigurohen të evitojnë ndonjë gabim.

Kushtet ndërtimore i janë lëshuar pronarit të tokës, Rrahman Haradini më 20 dhjetor 2019, dy vjet pasi ai kishte aplikuar për këto kushte.

Për të nxjerrë këtë vendim, komuna ishte obliguar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas dy refuzimeve të para që t’i lëshonte kushtet.