Arbëri

Nxënësit e maturuar për kopjim

Sikurse në vitet paraprake, edhe sivjet pyetjet nga provimi i maturës janë shpërndarë nëpër grupe të ndryshme komunikimi në rrjete sociale. Publikimi i tyre u bë megjithëqë Ministria e Arsimit njoftoi se ka zbatuar rregulla të rrepta, e për shkeljen e të cilave, me dhjetëra maturantë u larguan nga testimi. E ata që e përfunduan, thanë se provimi nuk ka qenë i vështirë

Vetëm pak minuta pas orës 10 të së shtunës, kur maturantë nga e gjithë Kosova u ulën në banka shkollore për t’iu nënshtruar provimit shtetëror të maturës, përmbajtja e testeve u shpërnda nëpër rrjete sociale.

Ato u publikuan edhe sivjet nëpër grupe në aplikacione të ndryshme të komunikimit, me qëllim të sigurimit prej jashtë të përgjigjeve në pyetjet e shtruara nga katër lëndë mësimore.

Shpërndarja ndodhi, ndonëse Ministria e Arsimit njoftoi për ndërmarrjen e masave të rrepta të sigurisë. Në këtë ministri njoftuan se janë ndërmarrë masa ndaj maturantëve që nuk i respektuan rregullat.

“Për shkak të përdorimit të telefonave, kësaj radhe janë larguar (nga testi) një numër i konsideruar i nxënësve. Një raport më i detajuar për procesin do të bëhet publik javën e ardhshme, pas analizimit të raporteve nga kryetarët e qendrave të testimit”, ka bërë të ditur Ministria.

Për 45 maturantë të larguar nga testi shkaku i shkeljes së rregullave njoftuan në Komunën e Gjilanit.

“Në disa qendra testimi janë evidentuar parregullsi, kryesisht për shkak të posedimit të pajisjeve të ndaluara, si telefonat mobilë, dhe si pasojë disa nxënës janë larguar nga testimi”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Provimit shtetëror të maturës sivjet iu nënshtruan 18 mijë e 800 maturantë nga e mbarë Kosova. Provimi është mbajtur në 158 qendra të testimit, ku maturantët janë sistemuar në 1335 salla, ndërsa sipas raporteve të komisionerëve, testi ka filluar me kohë dhe sipas ministrisë, nuk ka pasur ndonjë vërejtje të theksuar.

Por, pakënaqësi janë shprehur edhe nga këshilla që përfaqësojnë nxënësit.

Këshilli i Nxënësve të Gjilanit, në një reagim publik ndaj Ministrisë, ka theksuar se asnjë nga rregullat e udhëzimet e përmendura nga Ministria nuk janë zbatuar gjatë provimit, as nga vetë administratorët e as përfaqësuesit e Ministrisë.

“Disa nxënësve u është lejuar të kopjojnë lirshëm ndërsa disa të tjerëve fatkeqësisht u është mohuar duke përfunduar me largim nga testi. A nuk jemi të gjithë nxënësit e barabartë!? Rregullat vlejnë vetëm për disa nxënës, dhe për disa të tjerë jo”, shkruan në reagim.

Ministria pati paralajmëruar një ditë më parë se ka angazhuar trupa lëvizëse dhe ekspertë të IT-së për të monitoruar nga afër dhe nga distanca mbarëvajtjen e procesit.

“Çdo përpjekje për të dëmtuar apo shkelur rregullat e përcaktuara do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore”, thuhej në njoftim, por bazuar në reagime, kjo nuk është parë në praktikë.

Megjithëkëtë, një numër nxënësish mohuan se ka pasur parregullsi.

Pasi e përfunduan testimin që zgjati dy orë e gjysmë, disa prej tyre u shprehën të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit.

“Ishte shumë i thjesht. Pyetje logjike që i kemi mësuar këto tre vjet në shkollë. Gjithçka ka qenë në rregull, kopjim nuk ka pasur, telefonat na i kanë marrë në fillim. Ka pasur mbikëqyrje non-stop”, ka thënë maturanti Leonard Hoti.

Edhe maturantja Ajola Bajrami e ka mohuar se ka parë nxënës tek kopjojnë në test.

“Provimi ka qenë i organizuar mirë. Normalisht, pak ka qenë sfidues, por ka shkuar mirë. Rregullat kanë qenë shumë mirë. Më ka pëlqyer mënyra se si nuk na kanë lejuar të kopjojmë, sepse normalisht ashtu duhet me qenë edhe çkado që kemi ditur vetë”, ka thënë ajo.

Për mbarëvajtjen e procesit, sivjet është aplikuar masa që e parasheh shpërndarjen e nxënësve të një shkolle apo paraleleje, në objekte të tjera shkollore.

Në atë të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, testimit iu nënshtruan 150 maturantë nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit.

“Në shkollë kanë qenë të përfshira të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës, 150 nxënës, 10 klasë nga 15 nxënës. Si proces ka shkuar shumë mirë. Kemi nisur më kohë, të gjithë nxënësit kanë qenë prezentë dhe gjithçka ka qenë në rregull”, ka thënë Haxhi Metaj, drejtor i Gjimnazit Shoqëror “Ahmet Gashi”.

Maturantët gjatë testit i testuan njohuritë e tyre në tri lëndë obligative – matematikë, gjuhë shqipe e gjuhë angleze, si dhe në një zgjedhore. Për secilën prej tyre janë shtruar nga 25 pyetje.

E rezultati, sipas Ministrisë së Arsimit, do të bëhet i ditur më së largu deri më 30 qershor.