Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur kundërshtimin e saj lidhur me vendimin e fundit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e masave administrative që përcaktojnë marzha maksimale tregtare për produktet e naftës.
Tutje i ka bërë thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë menjëherë dhe të shfuqizojë vendimin për kontrollin administrativ të çmimeve, të respektojë garancitë kushtetuese të ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencës së lirë, të respektojë kufizimet ligjore që vlejnë për qeveritë në detyrë, si dhe t’i adresojë shqetësimet e tregut përmes transparencës, zbatimit të konkurrencës dhe dialogut me sektorin privat, në vend të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në çmime.
Në një komunikatë për media, Oda Amerikane ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës garanton një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, duke e kufizuar ndërhyrjen e shtetit në përcaktimin e çmimeve vetëm në rrethana rreptësisht të përcaktuara dhe përjashtimore.
“Çmimet e karburanteve nuk janë çmime të rregulluara sipas kornizës ligjore të Kosovës dhe përcaktimi i tyre përmes akteve administrative përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një treg përndryshe të lirë. Një ndërhyrje e tillë cenon parimet themelore kushtetuese të lirive ekonomike, sigurisë juridike dhe konkurrencës së lirë, si dhe krijon një precedent shqetësues për përfshirje diskrecionale të shtetit në tregjet ku çmimet duhet të përcaktohen nga oferta dhe kërkesa”, thuhet në reagimin e Odës Amerikane.
Tutje është theksuar se ky vendim është miratuar nga një qeveri në detyrë, mandati i së cilës është ligjërisht dhe institucionalisht i kufizuar. Sipas Odës, qeveritë në detyrë pritet të sigurojnë vazhdimësinë e administrimit dhe të përmbahen nga miratimi i vendimeve substanciale politike që ndikojnë materialisht aktivitetin ekonomik, strukturën e tregut apo të drejtat dhe detyrimet e aktorëve të sektorit privat.
“Në këtë drejtim, Oda Amerikane tërheq vëmendjen te një aktgjykim i Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili ka riafirmuar autoritetin e kufizuar të institucioneve në detyrë për të miratuar akte normative me ndikim të gjerë ekonomik, si dhe ka urdhëruar detyrimin e organeve ekzekutive për të vepruar në mënyrë të përmbajtur dhe brenda kufizimeve të qarta ligjore. Ky vendim gjyqësor forcon më tej qëndrimin se vendimet me impakt të gjerë ekonomik, janë të rezervuara për qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik e parlamentar”, thuhet në reagim.
Oda Amerikane ka theksuar se çmimet e karburanteve ndikohen nga një gamë e gjerë faktorësh të jashtëm dhe strukturorë, përfshirë tregjet ndërkombëtare të naftës, zhvillimet gjeopolitike, zinxhirët rajonalë të furnizimit, kostot e transportit dhe sigurimit, luhatjet valutore dhe shpenzimet operative lokale. Kufizimet administrative të marzhave, sipas OEAK-ut nuk i pasqyrojnë këto realitete dhe rrezikojnë të çrregullojnë tregun, të dekurajojnë konkurrencën dhe të rrezikojnë sigurinë e furnizimit në një ekonomi shumë të varur nga importi, siç është Kosova.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka vendosur marzhë tregtare për produktet e naftës që përdoren për transport.
Siç njoftoi ajo në Facebook, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, e me pakicë deri në 12 centë për litër. Pra naftëtarëve do t’u lejohet fitim 2 centë për litër kur shesin me shumicë dhe 12 centë për litër kur shesin me pakicë.
Hajdari ka theksuar se vendimi u mor me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së drejtë në tregun vendor.
“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga ana e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien”, ka shkruar ajo.
Hajdari ka shtuar se me vendim parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore.
Më 2022 dhe 2023 Qeveria po ashtu pati vendosur masa mbrojtëse për naftën.