Arbëri

Oda Amerikane kritikon zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë: Po krijon pasiguri juridike

OEAK

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si po zbatohet liberalizimi i tregut të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), duke e cilësuar këtë proces si burim të pasigurisë juridike dhe diskriminimit ekonomik.

Reagimi i Odës vjen pas aktvendimeve të fundit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila në të paktën dy raste të ndara ka pezulluar ekzekutimin e vendimeve të ZRRE-së që kanë të bëjnë me daljen në treg të hapur. Pezullimet janë bërë në favor të kompanive që kanë kontestuar masat e liberalizimit të ndërmarra nga ZRRE-ja, dhe sipas Odës Amerikane, ky fakt tregon për qasje të qëndrueshme të gjyqësorit që nuk mund të injorohet.

Sipas Odës, vendimet e dy gjyqtarëve të ndryshëm që kanë arritur në të njëjtin përfundim, janë tregues i një shqetësimi më të thellë rreth ndikimit që këto masa mund të kenë në funksionimin e tregut.

“Edhe pse aktualisht pezullimet zbatohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, implikimet janë më të gjera, pasi kompanitë e tjera janë në pritje të aktvendimeve ose të nisjes së procedurave gjyqësore. Oda Amerikane beson fuqishëm se reformat, përfshirë ato në sektorin e energjisë, duhet të drejtohen nga drejtësia, parashikueshmëria dhe trajtimi i barabartë para ligjit”, thuhet në deklaratë.

Në këtë kontekst, Oda i ka bërë thirrje ZRRE-së që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara, deri në momentin kur gjyqësori të japë qartësi përmes vendimeve përfundimtare mbi të gjitha ankesat.

Sipas saj, vetëm një treg i drejtë, transparent dhe funksional mund të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ku të gjitha kompanitë, pavarësisht madhësisë apo kapacitetit ligjor, të operojnë në kushte të barabarta.

Një ditë më parë, Oda Ekonomike e Kosovës tha se Gjykata Komerciale ka vendosur për pezullimin e njoftimit të ZRRE-së për dalje në treg të lirë të energjisë elektrike. Megjithatë në ZRRE thanë se fjala është për një rast individual që ka të bëjë me kriteret për furnizim me energji elektrike në kuadër të shërbimit universal dhe se aktvendimi nuk e nënkupton pezullimin e gjithë procesit të liberalizimit të tregut.

Nga 1 qershori, bizneset me qarkullim prej mbi 10 milionë euro ose me mbi 50 punëtorë janë detyruar të zgjedhin vetë furnizuesit për energji. Bizneset që nuk e kanë zgjedhur furnizuesin, mund të lidhin kontrata me KEK-un për një periudhë deri në 6 muaj. Deri më 19 qershor, janë nënshkruar mbi 360 kontrata me konsumatorët që kanë dalë në treg të hapur e që llogaritet të jenë rreth 1 mijë e 300 biznese.