Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, mund të ketë probleme me ligjin pas zbulimit që KTV-ja bëri dy javë më parë rreth vulës së tij.
Në fund të muajit dhjetor, KTV-ja raportoi mbi dyshimet se Sejdiu po përdorte vulën, e cila ishte nuk është e lejuar me ligj.
Dyshime të ngjashme u ngritën edhe për drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, Tefik Bekteshi.
Oda e Mjekëve tashmë ka përfunduar hetimin dhe ka arritur në konstatimin që Sejdiu dhe Bekteshi duhet të përballen me Këshillin Etik.
Me dyshimet se kanë kryer veprën penale, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe falsifikim i dokumentet zyrtar, Këshilli Etik pritet të shqyrtojë raportin e dërguar nga e Oda ndaj Sejdiut dhe Bekteshit.
“Në kuptim të përgjegjësisë penale, vepër penale kemi të bëjmë në të paktën dy rrethana kur bie fjala për përdorim të vulës apo faksimilit nga ana e mjekëve. E para ka të bëjë në rastet kur mjeku prodhon faksimilin në formën e aprovuar nga OMK-ja, pa autorizim nga organi kompetent, gjë që ka të bëjë me falsifikimin e dokumentit zyrtar, që është e sanksionuar me ligj. Në rrethanën e dytë, kjo ka të bëjë në rastet kur bëhet deklarimi i rremë në raport me përgatitjen profesionale/specialistike në tejkalim të specializimit të dokumentuar me certifikatën e specializimit. Kjo ka të bëjë me veprën penale ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’”, ka thënë Pleurat Sejdiu, Kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.
Por, mospërdorimi i vulës nga ana e Sejdiut dhe Bekteshit, nuk është e vetmja shkelje.
Në raportet mjekësore të vulosura nga drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, shihet se aty shkruan kardiolog invaziv në kundërshtim me licencën e tij të punës.
Në të njëjtën formë ka vepruar edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë, i cili është nënshkruar si kardiolog, por në licencën e tij të punës shkruan vetëm specialist i mjekësisë interne.
Ndërsa, sipas të dhënave që Ministria e Shëndetësisë i ka dërguar Odës së Mjekëve të Kosovës, konfirmohet se në licencat e punës së Sejdiut edhe Bekteshit shkruan se ata kanë specializim të mjekësisë interne.
“Vulat, të cilat janë duke u përdorur nga dr. Sejdiu dhe Dr Bekteshi, nuk janë valide dhe janë në kundërshtim me përmbajtën e licencave valide, pra në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Që të dy, dr. Sejdiu dhe dr. Bekteshi, kanë licenca valide të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë me specializim të Mjekësisë Interne, dhe në faksimilet e prodhuara nga OMK-ja, titulli korrespondon me Licencën e Punës”, ka theksuar Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Derisa drejtori i Klinikës së Kardiokirugjisë dhe Kardiologjisë Invazive, Tefik Bekteshi, nuk ka pranuar të japë sqarime lidhur me këtë, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka insistuar se faksimilja e tij është konform një vendimi valid të lëshuar nga bordi për licencim të datës 07 maj 2012.
Tutje, Sejdiu ka kritikuar qasjen e televizionit për këtë temë duke thënë se kjo po bëhet në kohën kur shëndetësia, e sidomos Kardiologjia, ka arritur suksese të mëdha, derisa nuk ka sqaruar se përse ka refuzuar ta marrë vulën valide të Odës së Mjekëve të Kosovës.
Megjithatë, Sejdiu ka pranuar se çështja e përdorimit të vulës nga ana e tij, është duke u trajtuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
“Më habit insistimi juaj të bëni lajm në temën e faksimileve dhe titullit tim në këtë kohë të arritjeve të mëdha në shëndetësi, e posaçërisht në Kardiologji. Për informimin tuaj të drejtë, titulli në faksimilen time është konform vendimit valid të lëshuar nga Bordi qendror për licencim me datë 07.05.2012, vendimi nr. 05-2520. Oda e Mjekëve të Kosovës është, momentalisht, në shqyrtim të kësaj çështjeje. Shpresoj që në të ardhmen do të drejtoheni kah temat me rëndësi jetike për pacientët e Kosovës”, ka thënë Basri Sejdiu, Drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së.
Është rregullorja për regjistrimin, licencimin dhe rilicencimin e mjekëve, e cila e rregullon çështjen licencimit të mjekëve.
Sipas nenit 21 të kësaj rregulloreje, neni 2, 3, 4, 5 dhe 56 përcaktojnë se faksimilet e profesionistëve shëndetësorë lëshohen në bazë të thirrjes profesionale, për të cilën është licencuar mjeku.
Derisa Ligji i odave mbi profesionistët shëndetësorë parasheh rrethanat se kur odat kanë për obligim të njoftojnë organet kompetente.
Dhe kjo bëhet në rastet kur dyshohet se në procedurat e licencimit dhe revokimit të licencës ka dyshime për kryerje të veprës penale.