Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar lidhur me njoftimin e publikuar nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme.
Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se ZRRE-ja po vazhdon me interpretime të njëanshme dhe të gabuara të aktgjykimit, si dhe me keqpërdorimin e nenit 37 paragrafi 3 të Ligjit për Energjinë Elektrike.
OEK vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme për liberalizimin e tregut të energjisë nuk mund dhe nuk duhet të lexohet në mënyrë selektive apo të njëanshme, siç po ndodh aktualisht nga ana e ZRRE-së, pasi një qasje e tillë cenon frymën dhe përmbajtjen e aktgjykimit, si dhe parimet themelore të sundimit të ligjit.
“Vendimet e Gjykatës Supreme nuk janë çështje interpretimi institucional. Ato janë akte detyruese që duhet të zbatohen në tërësi dhe në frymën e tyre. Çdo lexim selektiv krijon pasiguri juridike, dëmton klimën e biznesit dhe cenon sundimin e ligjit”, thekson OEK. “Përpjekjet për ta paraqitur këtë vendim si thjesht “konstatues”, apo për t’u mbështetur në interpretime të brendshme administrative, sipas OEK-ut, janë të gabuara dhe cenojnë thelbin e rolit kushtetues të gjyqësorit”.
Në mbledhjen e mbajtur të etjen, ZRRE theksoi se vendimi i Supremes ka karakter deklarativ dhe konstativ, dhe nuk krijon apo shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët apo pjesëmarrësit në treg.
Ushtruesi i detyrës në Departamentin Ligjor në ZRRE, Ymeridin Misini, tha se Udhëzuesi i shfuqizuar, sipas gjykatës, nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndikon në marrëdhëniet juridike të bazuara në legjislacionin aktual.
“Gjykata Supreme me aktgjykim ka bërë interpretim të detyrueshëm të nenit 37, në lidhje me nenin 3, paragrafi 1.72 të Ligjit për Energjinë Elektrike, në përputhje me nenin 3, duke e sqaruar se e drejta për shërbime universale u takon konsumatorëve familjarë dhe vetëm ndërmarrjeve të vogla që i plotësojnë kriteret ligjore për numrin e punonjësve dhe qarkullimin vjetor. ZRrE vazhdon zbatimin e ligjit për energjinë elektrike, ashtu si është interpretuar nga Gjykata Supreme, pa zgjerim dhe pa përkufizim përtej kritereve të përcaktuara. Ky vendim është deklarativ dhe konstatues të natyrës, dhe nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon të drejta apo detyrime të reja për konsumatorët apo për pjesëmarrësit në treg. Ky vendim nuk ka efekt retroaktiv dhe nuk ndikon në vlefshmërinë e marrëdhënieve juridike të detyruara bazuar në legjislacionin në fuqi. Ky konstatim bëhet vetëm për qëllim të qartësimit institucional dhe transparencës juridike pa krijuar efekte të reja normative”, tha ai.
Vendimi i Gjykatës Supreme vjen pas padisë së Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Me këtë vendim, Supremja shpalli të paligjshëm nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017.
Po ashtu, u shpall i paligjshëm dhe u shfuqizua neni 2 i Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë, i ndryshuar dhe plotësuar më datë 13 qershor 2018 dhe më 30 tetor 2018, i miratuar më datë 28 mars 2019.