7 muaj më parë, Oda e Mjekëve të Kosovës nxori vendim, përmes të cilit obligonte të gjithë mjekët që të përdorin një vulë unike të lëshuar nga ky institucion.
Por, ky rregull nuk vlen për drejtorin e SHSKUK-së, Basri Sejdiun.
Në një raport mjekësor të lëshuar gjatë këtij muaji, shihet se ky raport mjekësor i nënshkruar nga Sejdiu, përmban vetëm vulën e klinikës së tij, ku shkruan Diagnostika Invazive e jo vulën e Odës së Mjekëve të Kosovës. Motivet pse drejtori i institucionit më të madh terciar në vend po e injoron rregulloren e OMK-së nuk janë të qarta, për shkak se ai nuk ka pranuar të japë sqarime për KTV-në.
Derisa prokurori i Odës së Mjekëve, Bajram Ajeti, ka konfirmuar për KTV-në se ata tashmë filluan hetimin, pasi kanë pranuar disa informata se Sejdiu në disa raste në raporte mjekësore, nuk ka përdorur vulën valide të lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
“Janë identifikuar disa raste në të cilat mjekët nuk po përdorin këto faksimile. Momentalisht, jemi duke i hetuar disa raste, tri prej të cilave janë në procedurë. Pas pranimit të disa informatave dhe raporteve në të cilat nuk është përdorur faksimili i lëshuar nga Oda, ka nisur një procedurë hetimore ndaj drejtorit të SHSKUK-së Basri Sejdiut”, ka thënë Ajeti.
Ngjashëm me Sejdiun, rregulloren e OMK-së për përdorimin e faksimileve është duke e injoruar edhe drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë , Tefik Bekteshi. Por, as Bekteshi nuk u është përgjigjur thirrjeve të KTV-së. Derisa Oda e Mjekëve të Kosovës ka konfirmuar se ka filluar hetime edhe ndaj Bekteshit.
“Jemi në procedurë hetimore edhe për Dr. Bekteshin, kemi informacione dhe raporte në të cilat nuk është përdorur”, ka shtuar Ajeti.
Inspektorati Shëndetësor përmes një përgjigjeje me shkrim, gjithashtu ka konfirmuar se kanë informata se disa mjekë nuk po përdorin vulën valide të Odës së Mjekëve.
Ky inspektorat ka thënë se pritet të nisë inspektimet në Klinikën e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë Inzvazive në QKUK, derisa ka paralajmëruar masa ligjore ndaj atyre të cilët nuk përdorin faksimilen zyrtare.
“Inspektorati Shëndetësor në QKUK ka identifikuar disa profesionistë shëndetësorë, të cilët nuk kanë përdorur faksimilin e lëshuar nga OMK-ja dhe së shpejti, duke respektuar planin e punës, do të realizohen edhe inspektime në Klinikën e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë me Kardiologji invazive në QKUK dhe të gjithë profesionistëve shëndetësorë, të cilët nuk operojnë me faksimilë të lëshuar nga OMK-ja, do t’u shqiptohen masa sipas normave ligjore”, ka thënë Inspektorati Shëndetësor.
Në maj të këtij viti Oda e Mjekëve të Kosovës kishte miratuar një rregullore e cila obligon të gjithë mjekët që të përdorin vulat e autorizuara dhe të prodhuara nga ky institucion.
Ky vendim është marrë, në mënyrë që mjekëve t’u pamundësohej që në vulat e tyre të shkruajnë specializime, për të cilat ata nuk ishin të kualifikuar.