Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Orav: Ligji për të Huajt, frymëzim se si të trajtohet rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav

Foto: Driton Paçarada

Fillimi i zbatimit të Ligjit për të Huajt është cilësuar frymëzim për shumë vende të Bashkimit Evropian se si ta trajtojnë çështjen e aplikacionit për anëtarësim të Kosovës në BE, ka thënë ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Gjatë një takimi me gazetarë disa ditë para përfundimit të mandatit 19-mujor, Oravi shpreson që të ketë dinamika të reja në këtë proces.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Aplikacioni për anëtarësim të Kosovë në BE nuk është trajtuar në proces. Një prej arsyeve ka qenë se në njërën anë nëse ka masa ndëshkuese ndaj Kosovës në anën tjetër është e vështirë që vendet anëtare të BE-së të fillojnë procesin në diçka. Nuk mund të flas këtu në emër të të gjitha vendeve anëtare, por tani kjo marrëveshja e 14 marsit i jep frymëzim shumë vendeve anëtare se si ta  trajtojnë këtë çështje në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar ambasadori Orav.

E përkundër lehtësirave të arritura në dakordimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Peter Sorensen, ambasadori i BE-së ka thënë se “zbatimi i këtij ligji nuk është diçka që mund të ndodhë brenda natës”.

Sipas tij, vendimi për lëshimin e lejeve të përkohshme të qëndrimit për personat që punojnë në institucionet e arsimit dhe ato shëndetësore në veri, ka bërë që të ofrohen listat e atyre personave.

“Këto lista nuk kanë qenë të gatshme të jepen më herët, tani edhe popullata në veri e sheh që është e mundur të ecet përpara të zgjidhjen çështjet, nuk ka probleme”, ka thënë ambasadori i BE-së.

E integrimi i këtyre dy institucioneve, sipas Oravit, pritet të mundësohet nga veprimet e ndërmarra pas konsultimeve mes kryeministrit Kurti, emisarit Sorensen dhe komunitetit serb, pa shkaktuar çrregullime apo ndërprerje të shërbimeve.

Përveç ndikimit te serbët në veri, ambasadori Orav e ka cilësuar Ligjin për të huajt edhe si një shembull si të ecet para në dialog dhe normalizim të raporteve Kosovë-Serbi

Ligji për të Huajt ka nisur të zbatohet me 15 mars, por me disa lehtësira, pas kërkesës së BE-së të cilën e ka përcjellë përmes emisarit për dialog, Peter Sorensen.

Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.

Intervistën e plotë të ambasadorit Orav mund ta ndiqni të plotë nga ora 20:00 në KTV.

Orav: Lufta në Ukrainë dha moment të ri të zgjerimit të BE-së, mundësi për Kosovën e për Serbinë

53 min. më parë / 21 mar 2026 16:30
Aivo Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia mund të ecin bashkë drejt Evropës, por se dialogu është fjala kyçe në këtë rast.

Sipas ambasadorit Orav, lufta në Ukrainë ka dhënë një moment të ri të zgjerimit të BE-së, dhe se ky moment ka dhënë mundësi që të lëvizet përpara në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është një mundësi si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka thënë Orav në një intervistë me gazetarët, duke përmendur edhe dialogun. “Mendoj se një pjesë shumë e rëndësishme integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është dialogu dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Normalizimi mes vendeve është shumë i nevojshëm”.

Ambasadori Orav tutje ka thënë se ndonjëherë “bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë e bashkuar, ka qenë e ndarë në dhënien e këshillave”, por se sipas tij kjo bashkësi që në vitet e para të pavarësisë së Kosovës i ka shprehur qartë se çfarë duan dhe çfarë nuk duan.

Gjatë takimit me gazetarë, Orav ka përmendur edhe vizitën e shefes për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Kosovë vitin e kaluar, ku sipas tij pas kësaj vizite BE-ja ngadalë ka arritur të rifitojë besimin e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që pas kësaj vizite ngadalë ishim në gjendje që të rifitojmë besimin, e kuptoj plotësisht që në një moment të caktuar nuk ka pasur besim ndaj BE-së, por sot mund të them se është kthyer ky besim, nga Qeveria nga politikanët por edhe nga komuniteti serb, besimi ndaj nesh dhe kjo nënkupton se është e mundur të ndërtohen ura”, ka thënë Orav.

Ai ka thënë se do të ishte i pakuptimtë që kryeministri Albin Kurti apo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të refuzonin një takim të nivelit të lartë, të ftuar nga Kallas.

Sipas Oravit, takimet e nivelit të lartë duhet të jenë të parapërgatitura mirë dhe të synojnë rezultate konkrete, në mënyrë që procesi i dialogut të prodhojë avancime reale.

“Sigurisht, kjo duhet të ndodhë dhe për mua është shumë e vështirë të paramendoj që Kaja Kallas të ftojë presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti dhe të takohen diku në proces dhe pastaj përgjigjja të jetë jo, më fal, nuk do të vij në atë takim nga ndonjëri prej tyre. Sepse nëse nuk flasim me njëri tjetrin, është e pamundur të zgjidhet ndonjë problem. I kuptoj plotësisht problemet që i përmendët lidhur me sulmin në Banjskë, lidhur me mungesën e nënshkrimit të marrëveshjes, por këto çështje mund të diskutohen. Nëse nuk diskutohen dhe bëhen parakusht, atëherë nuk arrihet asgjë. Ky 14 mars ishte një shembull shumë i mirë. Kemi dëgjuar edhe për vënien e kushteve se kjo duhet të bëhet fillimisht, por megjithatë u arrit marrëveshja. Deri më tani nuk ka qenë e mundur që të ketë ndonjë takim të nivelit të lartë. Takimet e nivelit të lartë nuk janë vetëm thjesht takime, por duhet të jenë të përgatitura mirë nga diplomatët. Shpresojmë që një takim i tillë kur të zhvillohet, të jetë i suksesshëm dhe të hapë procese të reja për përparim. Kjo marrëveshje e 14 marsit nuk ka qenë marrëveshje e dialogut në kuptimin klasik, por tregon se nëse ka vullnet të mirë, është e mundur të ecet përpara. Duke marrë parasysh shpresën e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, nevojiten hapa të guximshëm për të ecur përpara”, ka thënë ai.

Intervistën e plotë të ambasadorit Orav mund ta ndiqni të plotë nga ora 20:00 në KTV.