Egzon Osmanaj, menaxher i Programit në Friedrich Ebert Stiftung (FES), ka thënë se për të tejkaluar ngërçin politik do të duhej që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, t’ia zgjaste dorën e bashkëpunimit edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ai ka thënë se edhe pse mendon që kjo nuk do të ishte zgjidhja ideale për një koalicion politik, siç ka theksuar, qoftë për shkak të qëndrimeve në të kaluarën apo programeve të këtyre dy partive, në situatën e krijuar duhet të synohet një kompromis për të mos u thelluar edhe më tej kriza.
“Do të ishte mirë që Kurti t’i zgjaste dorën e bashkëpunim edhe partisë së dytë në këtë rast, që është PDK-ja, e kemi barë që i ka kërkuar bashkëpunim LDK-së në dy raste e që është refuzuar apriori, dhe në një situatë të tillë kur nuk ka ndonjë alternativë tjetër, ose alternativa tjetër mbetet AAK-ja, Kurti do të duhej t’u zgjaste dorën të gjithë akterëve politikë që janë të gatshëm për bashkëpunim”, ka deklaruar Osmanaj në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ai ka deklaruar se dialogu është i paalternative dhe kyç për të gjetur zgjidhje për ngërçin në Kuvend.
Megjithëkëtë ai ka thënë se ende po mbizotëron një frymë e tensionuar mes partive politike.
“Partitë politike janë barrikaduar në qëndrimet e tyre për fat të keq dhe nuk është që ka ndonjë lëvizje, gjuha tashmë duket se është edhe më e ashpër sesa që ka qenë në fillim të seancës konstituive”, ka deklaruar Osmanaj.
Ai ka kritikuar të gjitha formacionet politike për qëndrimet e mbajtura rreth bllokadës së krijuar në Kuvendin e Kosovës.
“Unë nuk besoj që asnjëra prej formacioneve politike ka vepruar në Kuvend për interesin e Republikës tonë dhe për interesin dhe më të mirën e institucioneve tona. Më e mira dhe interesi parësor është themelimi i institucioneve dhe kjo është detyra e parë kushtetuese e secilit deputetë. Deputetët duke i ikur kësaj përgjegjësie e kanë bërë një shkelje të frymës edhe të idesë së demokracisë në shtetit tonë, por edhe frymës kushtetuese”, ka deklaruar Osmanaj.
Ai ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese do të duhej të sqaronte më mirë kuptimin e të drejtës ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryetar për partinë e parë si dhe të sqaronte se çfarë do të ndodh pas këtyre 30 ditëve.
“Çka ndodh me legjitimitetin dhe legalitetin e këtyre deputetëve, për shkak se nëse e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituim të Kuvendit, atëherë për mua edhe mandati i tyre por edhe çdo veprim i tyre është në pikëpyetje ... Mandatet e deputetëve mund edhe të humbasin nëse ata nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre, ose obligimin e tyre kushtetues për t’i themeluar institucionet brenda afatit kushtetues. Ku kemi shkelje të afatit kushtetues kemi shkelje të Kushtetutës”, ka thënë Osmanaj.