Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se siguria e Evropës lidhet ngushë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Në tryezën me liderë evropianë në temën e sigurisë, në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë të enjten, Osmani ka thënë se Evropa duhet ta përqendrojë vëmendjen e saj në rajonin e Ballkanit.
“Në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë, në tryezën me liderë evropianë të fokusuar në temën e sigurisë, theksova se siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si hap kyç për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka thënë ajo.
Të enjten, Osmani ka përmendur Rusinë e Serbinë si kërcënim për Kosovën, teksa i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e përkëdhelë Serbinë, duke thënë se ajo është satelit i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Në deklarimin për media më 2 tetor, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, Osmani ka thënë se Rusia e Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën.