Arbëri

Osmani fillon konsultimet për konstituim të Kuvendit më 15 maj

Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë konsultime lidhur me konstituimin e Kuvendit, ka njoftuar të hënën Presidenca.

Një seri konsultash do të zhvillohen të enjten (15 maj), derisa u tha se ftesat janë dërguar dhe po i presin konfirmimet.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, thuhet në njoftim.

Të dielën është zhvilluar seanca e 14-të me qëllim konstituimi, por as këtë herë nuk përfundoi me sukses.

Seanca e radhës do të mbahet më 13 maj, të martën.


PDK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Osmani

Partia Demokratike e Kosovës njoftoi për KOHËN se ka pranuar ftesën nga presidentja Vjosa Osmani. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Osmani, duke u shprehur se “Kosova ka nevoje për institucione të reja sa parë.

“Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”, ka njoftuar zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Të enjten në takim do t’i shkojë Osmanit edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja, për këtë të enjte”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.