Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar besimin e saj të plotë në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, në funksion të forcimit të paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Kështu është shprehur ajo pas takimit me gjeneralmajorin Oezkan Ulutash, i cili së fundmi ka rimarrë detyrën e komandantit të KFOR-it.
“Dje mirëprita gjeneralmajorin Oezkan Ulutash dhe e urova për rimarrjen e detyrës së komandantit të KFOR. Shpreha besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar ajo në Facebook.
Gjatë takimit me të, Osmani ka thënë se është diskutuar për kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve.
“Presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.
Ulutash është bërë gjenerali i parë i KFOR-it që merr edhe një mandat të dytë në krye të këtij misioni paqeruajtës.
Ai ishte udhëheqës i KFOR-it para dy vjetësh.