Në një bisedë në podcastin PIKË, veprimtari i njohur dhe themeluesi i lobit shqiptaro-amerikan, Osman Osmani, ka ndarë historinë se si u bë papritur komshi me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe fjalët e para që ai ia tha pasi e mori vesh se është shqiptar.
“Fati... nuk di si me thanë. Bill Clinton më ka ardhur disa herë në shtëpi. U bëmë komshinj. Bleu shtëpi afër ku unë jetoj, dhe erdhi vetë të më takojë”, rrëfen Osmani.
Takimi i tyre u shoqërua me një bisedë të ngrohtë, siç e shpjegon Osmani, ku Clinton i tha: “Unë Kosovën e kam çliruar – unë i kam kthyer kosovarët në shtëpi”.
Osmani kujton me emocion se gjatë takimeve, Clinton, por edhe gruaja e tij Hillary, nuk kanë mundur t’i ndalin lotët kur flisnin për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë.
“I thashë se kosovarët s’kanë për ta harruar kurrë këtë gjest. Por i kujtova se puna nuk është përfunduar, sepse fshatrat ishin shkatërruar, toka djegur, njerëzit pa asgjë”, shton ai.
Osmani rrëfeu se Bill Clintoni i bëri ftesë familjes së tij për të pritur festa të ndryshme në Shtëpinë e Bardhë.
