Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një konference për media të martën mbrëma ka bërë të ditur se ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë, në përputhje me siç tha ajo, aktgjykimet e kaluara të Gjykatës Kushtetuese.
Osmani ka thënë se pas dështimit të parë, ka zhvilluar konsultime me partitë politike për të caktuar mandatarin e ri, ndërsa vetëm partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur gatishmërinë për të sjellë emrin.
Presidentja sqaroi se veprimi i saj për ta mandatuar Konjufcën bazohet në nenin 95, paragrafi 4 të Kushtetutës, që përcakton detyrimin e presidentes për të emëruar kandidatin tjetër për kryeministër brenda 10 ditësh nga dështimi i tentimit të parë.
“Në atë takim partia e parë ka deklaruar se synon të tentojë përsëri krijimin e qeverisë. Sikurse në atë takim ashtu edhe në takimet e sotme që kam pasur me partitë e tjera të mëdha, më është bërë e qartë se ato nuk do të sjellin emër tjetër për mandatar. Neni 95, paragrafi 4 i Kuyshtetutës të Kosovës përvakton qartë se brenda 10 ditësh presidentja e Republikës emëron kandidatin tjetër, sipas të njëjtës procedurë. Pra, Kushtetuta nuk thotë presidentja mund të emërojë, por thotë emëron kandidatin tjetër në rast se dështon i pari. Kushtetuta nuk i lë hapësirë dhe as diskrecion kreut të shtetit për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një propozim të tillë. Përkundrazi gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit që ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo.
Osmani ka kujtuar aktgjykimet e kaluar si rasti KO 103/14, ku sipas saj, ky aktgjykim bazuar në nenin 95, paragrafi 4, kërkon që të ketë edhe një kandidat tjetër për kryeministër, pra të tentohet dy herë.
“Por e lë të hapur çështjen se cilës parti ose koalicion do t’i jepet mandati për ta propozuar kandidatin për kryeministër Diskrecioni i presidentes vjen në shoprehje vetëm në rast se ka më shumë se një propozim, në rast se më shumë se një parti kërkojnë që ta kenë mandatarin. Në këtë rastin konkret nuk kemi propozim tjetër, pra një subjekt apo koalicion përvec propozimit që ka ardhë nga partia e parë për të mandatuar z. Glauk Konjufca. Rrjedhimisht sot kam mandatuar Glauk Konjufcën kandidat tjetër për kryeministër”, ka shtuar presidentja.
Ajo përmendi edhe një arsye tjetër pse mandatimi i Konjufcës është në përputhje me Kushtetutën.
“Mandatimi i Konjufcës është gjithashtu në përputhje me përgjegjësin tjetër që Kushtetuesja ia ka dhënë presidentes, që të ruajë stabilitetin e vendit duke shmangur zgjedhjet”, ka deklaruar Osmani.
Sa i përket se duhet garanci se i kanë numrat për t’ia dhënë mandatarin, Osmani ka thënë se kjo nuk shkruan askund në Kushtetutë.
“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, ka thënë Osmani
Presidentja bëri të ditur se nëse edhe herën e dytë nuk zgjidhet qeveria atëherë shpallen zgjedhjet.
Osmani tutje u shpreh se interesi i përgjithshëm është të kemi institucionet dhe “të bëjmë çdo përpjekje që ato të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në shërbim të qytetarëve”.
Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.
Më 26 tetor, përpjekja për formimin e Qeverisë “Kurti 3” dështoi. Kryeministri në detyrë Albin Kurti mori vetëm 56 nga 61 votat e nevojshme.