Osmani mandaton Konjufcën për formimin e Qeverisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një konference për media të martën mbrëma ka thënë se ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë, në përputhje me aktgjykimet e kaluara të Gjykatës Kushtetuese.
Osmani ka thënë se pas dështimit të parë, ka zhvilluar konsultime me partitë politike për të caktuar mandatarin e ri, ndërsa vetëm partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur gatishmërinë për të sjellë emrin.
Presidentja sqaroi se veprimi i saj për ta mandatuar Konjufcën bazohet në nenin 95, paragrafi 4 të Kushtetutës, që përcakton detyrimin e presidentes për të emëruar kandidatin tjetër për kryeministër brenda 10 ditësh nga dështimi i tentimit të parë.
“Pra, Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetuta nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo.
Osmani ka kujtuar aktgjykimet e kaluar si rasti KO 103/14, ku sipas saj, ky aktgjykim bazuar në nenin 95, paragrafi 4, kërkon që të ketë edhe një kandidat tjetër për kryeministër, pra të tentohet dy herë.
“Por e lë të hapur çështjen se cilës parti ose koalicion do t’i jepet mandati për ta propozuar kandidatin. Diskrecioni i presidentes vjen kur më shumë se një parti kërkon të ketë mandatarin. Në këtë rast, e kemi vetëm një parti. Rrjedhimisht sot kam mandatuar Glauk Konjufcën kandidat tjetër për kryeministër”, ka shtuar presidentja.
Ajo përmendi edhe një arsye tjetër pse mandatimi i Konjufcës është në përputhje me Kushtetutën.
“Mandatimi i Konjufcës është gjithashtu në përputhje me përgjegjësin tjetër që Kushtetuesja ia ka dhënë presidentes, që të ruajë stabilitetin e vendit duke shmangur zgjedhjet”, ka deklaruar Osmani.
Sa i përket se duhet garanci se i kanë numrat për t’ia dhënë mandatarin, Osmani ka thënë se kjo nuk shkruan askund në Kushtetutë.
“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, ka thënë Osmani
Presidentja bëri të ditur se nëse edhe herën e dytë nuk zgjidhet qeveria atëherë shpallen zgjedhjet.
Osmani tutje u shpreh se interesi i përgjithshëm është të kemi institucionet dhe “të bëjmë çdo përpjekje që ato të krijohen, që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në shërbim të qytetarëve”.
Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.
Më 26 tetor, përpjekja për formimin e Qeverisë “Kurti 3” dështoi. Kryeministri në detyrë Albin Kurti mori vetëm 56 nga 61 votat e nevojshme.