• Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarje të Kuvendit pas takimit me liderët e partive

  • Veprimi i Osmanit vjen pasi mandatari i dytë Glauk Konjufca dështoi ta formojë qeverinë

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit

Deliu e quan të njëanshëm vendimin e Osmanit që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor

3 j. më parë / 20 nën 2025 14:45
Blerta Deliu - Kodra

Blerta Deliu nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës e ka quajtur të njëanshëm vendimin e presidentes Vjosa Osmani për caktimin e 28 dhjetorit si datë e zgjedhjeve.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se përkundër kësaj, kjo datë le të shndërrohet në moment të rikthimit të përgjegjësisë, maturisë dhe vizionit politik që i duhet vendit.

“Edhe pse vendim i njëanshëm i Presidentes, kjo datë mbetet një mundësi historike për ta rikthyer institucionin te qytetari dhe te vullneti i shumicës. Vendimmarrja nuk mund të jetë e plotë pa zërin e popullit, prandaj 28 Dhjetori është dita jonë. Diasporën tonë e mirëpresim me zemër të hapur. Vota juaj nuk është vetëm numër është forcë, është përgjegjësi dhe është pjesë e pandashme e rrugës sonë politike”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kurti e mirëpret 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve

3 j. më parë / 20 nën 2025 14:43
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se e mirëpresin caktimin e 28 dhjetorit si datë të zgjedhjeve.

Kurti tutje ka thënë se duhet siguruar që institucionet shtetërorë kanë kohën e mjaftueshmë për përgatitjet e një procesi zgjedhor të rregullt e të drejtë.

“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”, shkroi Kurti në faqen e tij në Facebook.

Osmani cakton 28 dhjetorin për mbajtjen e zgjedhjeve

3 j. më parë / 20 nën 2025 13:51 Nga: Marigona Brahimi
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se data 28 dhjetor është ajo më e përshtatshmja për mbajtjen e zgjedhjeve.

“21 dhe 28 dhjetor janë datat që mund të bëhen sipas Kushtetutës. Tetë parti janë deklaruara për datën 28, pesë parti për datën 21 dhe 3 parti për cilën do datë. Data 28 dhjetor kam vlerësuar që mbetet data e vetme e mundshme, edhe pse kjo datë do të ketë edhe sfida për KQZ-në”, tha ajo.

Ka shtuar se  pas dështimit të djeshëm të Kuvendit për të zgjedhur Qeverinë, sot përmes dekretit presidencial e ka shpërndarë.

“Para se ta nënshkruajë dekretin për shpërndarje kam bërë përpjekjen e fundit që partitë të kthehen në Kuvend që të miratohen zgjatjet buxhetore në mënyrë që as pagat e qytetarëve tanë e as funksionimi i shtetit të mos bllokohen dhe të kemi buxhet deri në mars. Së dyti ka qenë edhe pako presidenciale prej pesë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej 1 miliardë euro dhe çështje të tjera të rëndësishme për të cilat kam shpresuar për vullnet politik”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk pati vullnet politik.

“Ka ekzistuar baza kushtetuese e qartë që edhe pas dështimit të mandatarit të dytë të Kuvendit, Kuvendi të mblidhet dhe të marrë vendime. Kuvendi mund të jetë funksional derisa të nënshkruhet dekreti për shpërndarje. Në mungesë të vullnetit politik, nuk ka pasur zgjidhje tjetër  përveç që të nënshkruajë dekretin për shpërndarje. Është për keqardhje që nuk u arrit një dakordim i tillë, jo pse ishin marrëveshjet e dobëta por sepse mungonte vullneti”, ka shtuar ajo.

Ajo ka folur për marrëveshjet që nuk do të mund të ratifikohen, duke shtuar se ato do të sillnin të ardhura për fëmijë, spitale, biznese, fermerë e kategori të tjera.

Ka shtuar se mosvotimi i tyre nuk dënon parti, por qytetarë.

Osmani ka thënë se një Kosovë e dobësuar është humbje për të gjithë.

“Një shtet që humb fondet e BE-së dhe Bankës Botërore humb besimin e partnerëve. Thirrja ime për partitë është që të bëjnë fushatë dinjitoze dhe pas rezultateve merreni përgjegjësinë që ju takon”, ka thënë ajo,

Ajo ka thënë se data 11 janar është përjashtuar si mundësi për mbajtje të zgjedhjeve.

Pasi deklaroi se do të qëndrojë për shumë gjatë për t’i shërbyer shtetit, gazetarët e kanë pyetur nëse Osmani po planifikon edhe një mandat në Presidencë.

“Paralajmërim që do të jem duke shërbyer në institucionet e Republikës së Kosovës se ku e si e vendosin qytetarët”, ka thënë ajo duke shtuar se nuk ka diskutuar me kreun e VV-së, Albin Kurti për këtë. “Jo nuk kemi diskutuar  sepse siç kam thënë këto do të fillojnë vetëm pasi të kemi një Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të datës 28 dhjetor. Tash nuk e shoh të mundshme të diskutohet”.

Gjithashtu e pyetur “nëse pavetëdije po i shërben Lëvizjes Vetëvendosje” Osmani është përgjigjur se kjo është pyetje ofenduese dhe se vendimet e saja gjithmonë i ka marrë me vetëdije plotë.

“E para kjo është një pyetje ofenduese që ti kurrë një burri nuk do t’ia kishe bërë. Një pyetje të tillë ia bëni vetëm një gruaje. Vendimin e kam marrë me vetëdije të plotë me besim të plotë. Partitë kanë deklaruar se nuk janë kundër pjesëmarrjes së mërgatës. Pse ju po paragjykoni që mërgata është në favor të vetëm një partie”, ka thënë ajo.

 

 

Limaj: Do jemi në zgjedhje - qoftë me koalicion, qoftë vetëm

3 j. më parë / 20 nën 2025 12:05
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka ftuar qytetarët që të analizojnë mirë nëntë muajt pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe të ndëshkojnë ata që ishin përgjegjës për moskrijimin e institucioneve. Ai ka thënë se partia e tij do të jetë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme qoftë me koalicion, qoftë vetëm. Shtoi se do të analizojnë mirë në çfarë drejtimi do të shkojë Nisma. 

Pas takimit me presidenten, Limaj ka thënë se data ideale për zgjedhje është 21 dhjetori.

Ai përsëriti se janë përpjekur për të gjetur zgjidhje.

“Po përfundon cikli nëntëmujor. Është lajm i keq për Kosovën. Këto forca politike kanë dëshmuar se nuk kanë pjekuri politike. Kjo që ka ndodh sot tregon paaftësi, papjekuri dhe panjohuri si ndërtohet shteti. Shpresoj që qytetarët në zgjedhjet e ardhshme do t’u kërkojnë llogari përgjegjësve për moskrijimin e institucioneve. Kosova e humbi një vit. Është momenti t’i kthehemi qytetarëve”, ka thënë Limaj.

Kryetari i Nismës u shpreh se është koha për një lidership ndryshe, të pjekur dhe një alternativë që ndërton institucionet.

PDK-ja kërkon që zgjedhjet të mbahen më 21 dhjetor

3 j. më parë / 20 nën 2025 11:55
Bedri Hamza

Bedri Hamza

Photo: Driton Paçarada

Pas përfundimit të takimit me presidenten Vjosa Osmani, kreu i PDK-së, Bedri Hamza deklaroi para mediave se kanë kërkuar që data e zgjedhjeve të jetë 21 dhjetori.

Hamza tha se kjo datë është propozuar për të mos humbur më shumë kohë.

“Presidentja bazuar në zhvillimet e seancës së djeshme ku mandatari i dytë nuk arriti ti sigurojë votat sot ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Kemi kërkuar që të jetë data 21 për shpalljen e zgjedhjeve. Vendi ka nevojë sa më shpejtë të ketë institucione. Vendi ka nevojë të shpejtë për formim të institucioneve. Data tjetër që u përmend në takim ishte data 28 por ne ishim për datën 21”, theksoi Hamza.

Tutje kryetari i PDK-së tha se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt politik.

“Do të garojë me një ekip të mirë, me një program të mirë, me një listë të mirë. Jemi të përgatitur për këtë gjendje sepse të gjitha veprimet kanë qenë që vendi të shkoj drejt zgjedhjeve të parakohshme. Po e ripërsëris, PDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik”, deklaroi Hamza në pyetjen e gazetarëve për ndonjë bashkëpunim të mundshëm me partitë politike.

Haradinaj: Shkojmë të vetëm në zgjedhje, pas tyre s’e tolerojmë bllokimin e institucioneve

3 j. më parë / 20 nën 2025 11:49 Nga: Marigona Brahimi
Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se sot është nënshkruar dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

Sipas tij, datat e propozuara janë 21 dhe 28 dhjetor.

“Duke qenë se është humbur shumë kohë, duke qenë se ka shumë akumulime të temave buxhetore, kemi propozuar që dita e zgjedhjeve të jetë 21 dhjetor. Mendojmë se në këtë mënyrë do ta fitojmë një javë kohë për vazhdimet  buxhetore.  Qeveria e Kosovës mund të marrë vendime për të përmbushur disa detyrime buxhetore që i ka si ndaj RTK-së edhe ndaj palëve tjera. Periudha e para vitit të ri, sepse pushteti po kërkon 28 dhjetorin, kjo periudhë është për familjen dhe është një arrogancë nga politika që me u shpall zgjedhjet më 28 dhjetor”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje dhe se janë të gatshme për to.

Ka shtuar se nuk do të kenë tolerancë për askënd që pengon krijimin e institucioneve.

Peci thotë se kanë propozuar 28 dhjetorin si datë për zgjedhje

3 j. më parë / 20 nën 2025 11:45
Faton Peci

Photo: Driton Paçarada

Bashkëkryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se kanë propozuar 28 dhjetorin si datë ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Sipas Pecit, diskutimi ka qenë mes datës 21 dhe 28. Por siç thotë ai, 28 dhjetori është datë më e mirë për shkak se KQZ-ja ka mundësi të përgatitet më mirë. Për këtë datë, Peci ka thënë se u konvenon edhe qytetarëve, edhe mërgimtarëve. 

Ai u shpreh i bindur se bashkë me Lëvizjen Vetëvendosjen do të korrin fitore më të madhe se të 9 shkurtit.