Arbëri

Osmani: Ne jemi gati, është radha që NATO t’i hapë dyert

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj para Asamblesë Parlamentare të NATO-s, theksoi se Aleanca euroatlantike ka qenë dhe mbetet shtylla kurrizore e sigurisë kolektive dhe e shpresës për gjeneratat e ardhshme.

Duke kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999 dhe vendosmërinë në Dejton më 1995, ajo tha se Aleanca e ka përmbushur misionin e saj “atëherë kur njerëzit përballeshin me orët më të errëta”.

“Nga frika për të shkuar në shkollë te rinia që sot studion në universitetet më të mira në botë; nga prindërit e përzënë nga puna te gjyshërit krenarë që shohin një brez të ri të begatë; nga rrugët e rrezikshme për jetë te qytetet e mbushura me muzikë, art dhe jetë kulturore”, citohet Osmani në komunikatën e Zyrës së Presidencës, teksa foli për rezultatin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Sipas presidentes Osmani, paqja nuk është vetëm heshtja e armëve, por vullneti për të jetuar bashkë.

Duke shprehur vendosmërinë e Kosovës për të kontribuar në sigurinë euroatlantike, presidentja Osmani theksoi se Kosova tashmë ka ndarë 2% të GDP-së për mbrojtje, me synimin për ta dyfishuar këtë në vitet e ardhshme.

“Ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë. Tani është radha e NATO-s, t'i hapë dyert”, ka deklaruar Osmani.


Osmani në SHBA:  Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

Presidentja, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Sipas njoftimit të Presidencës në adresimin e saj para udhëheqësve të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Osmani ka theksuar se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.

“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, citohet të ketë thënë Osmani.

“Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”, citohet tutje ajo.