Arbëri

Osmani: Nëse zvarritet procesi i konstituimit, i drejtohem Kushtetueses

osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se liderët e partive politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme në takimin e sotëm me të, por se e quajti konstruktiv qasjen e tyre.

Ajo ka thënë se ka “disponim minimal” për zgjidhje të ngërçit politik.  

“Ekziston një disponim minimal, që jam e bindur se do të rritet me kalimin e kohës. Dialogu politik, konstruktiv, është i domosdoshëm”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Ajo ka thënë se nëse zvarritet më tej çështja e konstituimit të Kuvendit, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, nuk ka dhënë një afat se kur mund të ndodh kjo. 

“Nëse kjo zvarritet shumë janë disa opsione, një është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën, mënyra tjetër është që unë si presidente t’i drejtohem Kushtetueses. Nëse do të kishte pajtim edhe nga ata, nuk kam problem ta dërgoj këtë çështje në Kushtetuese. Ne do presim nëse në vijim do rezultojnë me marrëveshje politike, para se të procedojmë me diçka të tillë. Takimet do vazhdojnë”.

Presidentja është shprehur se takimet me liderët e partive do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.

“Nëse shihet e nevojshme nga java tjetër do takoj liderët e partive individualisht për të vazhduar me formate të tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për krijimin e qeverisë së re. Diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuar te çështja e konstituimit të kuvendit. Çfarë kam përmendur në takim është se disa prej pasojave që ballafaqohet vendi ynë në mungesë të konstituimit të Kuvendit përfshijnë zvarritjen e panevojshëm të procesit të disbursimit të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes së BE-së, afër 900 milionë euro, dëmet tjera përfshijnë zvarritjen e proceseve që do çonin në anëtarësimin në organizata apo iniciativa tjera, zvarritjen e ligjeve, dëmtimi i besimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit tonë ndërkombëtarisht”, ka potencuar Osmani.

Osmani ka shprehur se nuk mund të flitet për zgjedhje të reja, pa u pajtuar partitë për konstituim të Kuvendit. 

Osmani është takuar më pas me përfaqësuesit e subjekteve politike të komuniteteve joshumicë, ku ka ritheksuar se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyç në interes të qytetarëve dhe stabilitetit të vendit. 

“Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, në kuadër të konsultimeve gjithëpërfshirëse me liderët e subjekteve parlamentare. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit. Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i  institucioneve janë prioritete kyçe në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës. 


Lexo përditësimet tjera
Takimi i Osmanit me liderët

Përfundon pa zgjidhje takimi i Osmanit me liderët e partive