E vlerësuar për zërin e saj të kultivuar, interpretimin e roleve të rëndësishme operistike dhe për performancat e saj ndërkombëtare, vokali magjepsës i Besa Llugiqit do të jehojë për të parën herë në institucionin me traditë prej afro një shekulli e gjysmë. Në Operën Shtetërore në Bukuresht do të ngjitet me rolin e Mimisë nga “La Bohème” e Puccinit. “Është një hap shumë i mirë për të krijuar mundësi të reja ose edhe për ta dëshmuar kualitetin tim, punën që e kam bërë. Bashkëpunimi është gjithmonë i mirëseardhur, tash varet për nga programi që kanë përgjatë vitit, por që për Miminë jam shumë e lumtur që jam e ftuar dhe që kam mundësinë të debutoj në këtë teatër”, ka thënë Llugiqi
Në Kosovë është prej zërave më të rëndësishëm operistikë. Këtë e kishte dëshmuar edhe në debutimin historik të Operës së Kosovës duke veshur njërin prej kryeroleve botërore operistike – Violettan nga “La Traviata” e Verdit. E në skenën ndërkombëtare, sopranoja e shquar, Besa Llugiqi, është zëri që përherë depërton aty ku, ndryshe nga Kosova, artistit i mjafton përgatitja e tij profesionale. Kapitulli i radhës i suksesit të saj është debutimi në Operën Shtetërore të Rumanisë.
E vlerësuar për zërin e saj të kultivuar, interpretimin e roleve të rëndësishme operistike dhe për performancat e saj ndërkombëtare, vokali i saj magjepsës do të jehojë për të parën herë në institucionin me traditë prej afro një shekulli e gjysmë me rolin e Mimisë nga “La Bohème” e Puccinit.
Vepra është gati e rregullt në programet vjetore të Llugiqit.
“Është rol që më fle shumë dhe e kam shumë për zemër. Ndoshta edhe për shkak se është interpretuar shumë shpesh dhe mishërohesh më shumë me një rol që është më afër vokalit dhe kërkesave tua”, ka thënë ajo.
Secili interpretim është i veçantë për të e, sipas saj, veçmas duke interpretuar në një vend ku muzika klasike ka traditë të gjatë.
“Operën e kam interpretuar me dhjetëra herë, por në Bukuresht është hera e parë që e këndoj, kështu që është jashtëzakonisht e rëndësishme duke e ditur kualitetin e këngëtarëve që ka atje, traditën që ka ky teatër. Bukureshti është njëri prej vendeve ku muzika klasike operistike është në nivel super të lartë. Për mua është privilegj të jem në një kast me këta artistë dhe dirigjentin e nivelit botëror”, është shprehur sopranoja Llugiqi për KOHËN.
Ka thënë se rolin e Mimisë e ka shumë për zemër.
“Është njëri prej roleve që unë e kam kënduar gjithmonë me qejf dhe më rri shumë mirë në vokal, në interpretim e edhe në teknikë. Tematika që ka është gjithmonë aktuale, kështu që është lehtë të shndërrohesh në Mimi. Është edhe e bukur, muzikë e jashtëzakonshme, tepër emocionale. Është gjithmonë kënaqësi ta këndoj”, është shprehur ajo.
Roli i Mimisë njihet për ndjeshmërinë e thellë emocionale dhe kërkesat e larta vokale. Është një nga figurat më ikonike të repertorit operistik botëror dhe për të kërkohet interpretim që ndërthur teknikën, ndjeshmërinë dhe dramën. Krejt këto bëhen një në paraqitjen e Llugiqit duke qenë e brishtë, poetike dhe thellësisht emocionale për dy orë e gjysmë.
Llugiqi është fituese e çmimit “Grand Prix” në konkursin ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari në vitin 2013. Ky çmim shpërblente fituesin me një rol operistik. Kësisoj, sopranos së lindur në Prishtinë iu dha mundësia për ta jetësuar Miminë në Operën Shtetërore të Stara Zagorës.
“E kam luajtur kryesisht në Bullgari, në qytete të ndryshme. Mimi ka qenë si çmim pas ‘Grand Prix’ që kam marrë në konkursin ndërkombëtar në Bullgari. Në vitet 2013 a 2014 e kam debutuar për herë të parë. Pastaj gjithmonë e kam pasur në repertor, gati çdo vit kam pasur kërkesa në vende të ndryshme për ta interpretuar”, ka thënë sopranoja e shquar.
Ka interpretuar role kryesore të kryeveprave operistike si Donna Elvira nga “Don Giovanni” e Mozart, si Lauretta nga “Gianni Schicchi” e Puccinit, si Lucia nga “Lucia di Lammermoor” e Donizettit, si Violetta Valéry nga “La Traviata” e Verdit, si rolin titullar Thaïs të veprës nga Massenet e të tjera.
Në Operën Shtetërore të Rumanisë është ftuar për të interpretuar mbrëmjen e 26 shkurtit ndërkohë që një shfaqje tjetër i paraprin një ditë më parë. Mjeshtri i shquar rumun, Daniel Jinga e drejton pjesën muzikore, ndërsa regjinë e ka përsipër Ionel Pantea.
Roli i Llugiqit përcjell historinë e dashurisë, por edhe tragjedinë që i ngjan në rini. Për dy orë e tridhjetë minuta, prezenca në skenë e Llugiqit si Mimi është në qendër bashkë me protagonistin tjetër Rudolfo, që e ka luajtur tenori rumun, Andrei Petre. Në role të tjera janë: Andreea Guriță Novac si Musetta, Adrian Mărcan si Marcello, Ion Dimieru si Colline, Dan Indricău si Schaunard e të tjerë.
Shfaqja lirike me katër akte çon publikun në Paris, duke kthyer kohën prapa për më shumë së një shekull. Së pari herë u shfaq në Torino në vitin 1896 dhe që atëherë është pjesë e pashmangshme e repertorit operistik. Është një prej veprave më të luajtura në botë.
Libreti i operës “La Bohème” përqendrohet në marrëdhëniet midis Rodolfos dhe Mimìt, duke përfunduar me vdekjen e saj. Vlerësohet se bazohet në romanin “Scenes de la vie de boheme” të Henri Murger të vitit 1851. Në tekstin shpjegues për operën shkruhet se sidomos akti i parë dhe ai i katërt ndjekin krejtësisht historinë e romanit.
“Skenat e fundit në veprat një dhe katër, skenat me Rodolfon dhe Mimin, ngjajnë si me dramën, ashtu edhe me librin. Historia e takimit të tyre ndjek nga afër kapitullin e 18-të të librit, në të cilin dy të dashuruarit që jetojnë nën çati nuk janë aspak Rodolphe dhe Mimi, por përkundrazi Jacques dhe Francine. Historia e vdekjes së Mimit në operë vjen nga dy kapituj të ndryshëm të librit, njëri që ka të bëjë me vdekjen e Francinës dhe tjetri që lidhet me atë të Mimit”, shkruhet në një përmbledhje për operën “La Bohème”.
Për Llugiqin do të jetë hera e parë që interpreton me këtë kast, sikurse edhe bashkëpunimi me dirigjentin. Ajo ka thënë se nuk dyshon aspak në përgatitjen e tyre profesionale.
“Mezi pres të bashkëpunoj me ta dhe të shoh se si do të funksionojë. Jam e bindur që do të jetë mirë, sepse për nivelin e artistëve atje, pak a shumë kam njohuri përmes bashkëpunimeve që kam bërë nëpër opera të ndryshme dhe gjithmonë janë super në nivel, super të përgatitur. Në aspektin profesional të tyre nuk dyshoj aspak”, është shprehur Llugiqi.
Në institucionin shtetëror operistik rumun, vepra u dha premierë më 15 nëntor të vitit 2008. Më 25 shkurt, rolin e Mimisë e interpreton sopranoja rumune, Marta Sandu Ofrim.
Institucioni operistik njihet për standardet e larta artistike dhe për produksionet ambicioze. Gjithashtu edhe për aktivitetin intensiv të tij. Vetëm këtë muaj, në programin e Operës janë 22 shfaqje operash të ndryshme, si: “Turandot”, “Nabucco”, “Aida”, “Otello” e shumë të tjera.
Salla magjepsëse është e stilit klasik me kate dhe korridore me kapacitet prej 952 ulësesh. Ndërtesa e Operës Rumune në Bukuresht është e listuar në Regjistrin Kombëtar të Monumenteve Historike të Rumanisë.
Sopranoja Llugiqi ka thënë se debutimi aty është një hap drejt mundësive të reja e dëshmimit të punës shumëvjeçare të saj.
“Është një hap shumë i mirë për të krijuar mundësi të reja ose edhe për ta dëshmuar kualitetin tim, punën që e kam bërë. Bashkëpunimi është gjithmonë i mirëseardhur, tash varet për nga programi që kanë përgjatë vitit, por që për Miminë jam shumë e lumtur që jam e ftuar dhe që kam mundësinë të debutoj në këtë teatër”, është shprehur Llugiqi.
Përtej suksesit personal, debutimi i saj në Operën Shtetërore të Rumanisë është edhe dritare e promovimit të traditës operistike të Kosovës e atyre që punojnë fort përkundër kushteve të pafavorshme.