Arbëri

Osmani: Për votim të fshehtë duhet të ketë konsensus

Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se votimi i fshehtë lejohet por se duhet të ketë konsensus në mes të deputetëve për këtë procedurë të votimit.

“Konstatimi i ekipit tim ligjor me të cilin unë pajtohem është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, është shprehur Osmani”, është shprehur Osmani në një deklarim për media pas ceremonisë së betimit të 18 kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

Ajo ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet brenda afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese do të ketë pasoja. 

“Pra do të ketë pasoja juridike. Nuk është se ne mund të presim që gjykata të thotë mirë pas 30 ditësh vazhdoni njësoj takohuni çdo dy ditë dhe mos bëni asgjë. Nuk pres që do të ketë diçka të tillë. Unë do të planifikoj që në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt që t’i drejtohem Gjykatës me kërkesë për sqarim në lidhje me atë se çfarë pas 30 ditësh se duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit pas 30 ditësh, se duhet të ketë pasoja”, është shprehur Osmani.

Osmani të mërkurën dhe të enjten ka zhvilluar konsulta me partitë politike për bllokadën në Kuvend.

Ajo të premten ka thënë se partitë kryesore i kanë ende qëndrimet diametralisht të kundërta. 

Por sipas saj kjo nuk do të thotë që brneda këtij afati nuk do të ketë afrim. 

“Mendoj që bllokada tani tek lloji i votimit është vërtetë shumë shumë joracionale”, është shprehur Osmani.

Ajo u ka kërkuar liderëve të partive politike që deri në fund të korrikut të gjejnë zgjidhje për bllokadën me konstituimin e legjislaturës së re.

Këtë Osmani e ka thënë pas takimeve të ndara që i ka zhvilluar të mërkurën me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, atë të Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga kriza institucionale pas aktgjykimit të nxjerrë javën e shkuar nga Gjykata Kushtetuese. 

Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka dhënë vendim që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh. Me që një afat i tillë nuk ka qenë i përcaktuar më herët, sipas vendimit të gjykatës, konstituimi në situatën aktuale duhet të bëhet deri më 26 korrik.