Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Vjosa Osmani e ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes. Në një ceremoni zyrtare, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes.

Në ceremoninë zyrtare, Osmani ka deklaruar se po lë prapa punë të jashtëzakonshme, ndërsa Haxhiu është zotuar se gjatë ushtrimit të detyrës do të veprojë në përputhje me Kushtetutën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fund të ceremonisë, Osmani ia ka dorëzuar Kushtetutën e Kosovës Haxhiut.

Kryeparlamentarja Haxhiu do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes, pasi Kuvendi ka dështuar të zgjedhë presidentin në fund të mandatit të Osmanit.

Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri. Afati u caktua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të javës së shkuar, duke e shpallur të pavlefshëm një dekret të Osmanit për të shpërndarë Kuvendin. Osmani pati nxjerrë dekretin me arsyetimin se Kuvendi ka pasur afat deri më 5 mars për ta zgjedhur presidentin – një muaj para fundit të mandatit të saj. E Kushtetuesja më 25 mars vendosi që Kuvendi ka edhe 34 ditë afat për të zgjedhur presidentin – duke konstatuar se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen ka nisur më 5 mars kur Kuvendi nuk hodhi në votim kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe të Fatmire Mulhaxhës së Vetëvendosjes, për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se për çështjen e presidentit është në kontakt me dy udhëheqësit e partive më të mëdha opozitare dhe ka paralajmëruar takime me ta në javën e ardhshme.

Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe Abdixhikun edhe para se çështja të dërgohej në gjykatën më të lartë në vend dhe para se ajo të nxirrte aktgjykimin.

Megjithatë, këto takime nuk prodhuan ndonjë rezultat.

Osmani pati shprehur ambicie edhe për mandatin e dytë, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të dështimit do të vazhdojë angazhimin politik.

Osmani ishte presidentja e gjashtë e Kosovës. Mori këtë detyrë më 4 prill 2021, pas fitores me Lëvizjen Vetëvendosje.

Adresimi i Osmanit në fund të mandatit: Kosova nuk dorëzohet kurrë

24 min. më parë / 4 pri 2026 17:43
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë një adresim publik me rastin e përfundimit të mandatit. Në adresimin drejtuar qytetarëve, Osmani ka thënë se s’ka nder më të madh se t’i shërbesh shtetit.

Ajo ka thënë se gjatë mandatit thelbësore e ka pasur mbrojtjen e interesit të shtetit dhe të aleancave të Kosovës.

“Orientimi im si përfaqësuese e juaja ka qenë dhe mbetet i qartë, ai i Presidentit Rugova: një Kosovë e lirë, e pavarur, demokratike, e integruar në strukturat euroatlantike dhe në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky nuk ka qenë vetëm vizion; ka qenë udhërrëfyesi im i përditshëm. Dhe Kosova e këtyre pesë vjetëve është udhëhequr çdo ditë nga ky orientim i qartë strategjik”, ka deklaruar Osmani në adresimin e saj.

Osmani ka deklaruar po ashtu se gjatë mandatit të saj ka kuptuar se Kosova mund të përballet me sfida e padrejtësi, por kurrë me mungesë guximi.

“Dhe nëse ka një gjë që kam mësuar nga ju, është kjo: që Kosova nuk është e fortë vetëm kur fiton, por është e pathyeshme sepse nuk dorëzohet kurrë”, ka deklaruar ajo.

Adresimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

E nderuar mërgatë, forca që e mban Kosovën të lidhur me botën!

Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh Republikës.

Nuk ka përgjegjësi më të madhe, por edhe më fisnike, sesa të mbash mbi supe besimin e qytetarëve të tu.

Falë përkushtimit tuaj ndaj vlerave demokratike dhe këmbëngulësisë për të krijuar institucione të qëndrueshme, unë e kam pasur këtë nder dhe përgjegjësinë madhore që të sigurohem se vullneti i juaj e zëri juaj do të përfaqësohen denjësisht.

Që nga dita e parë, e kam marrë këtë detyrë me një bindje të qartë: se integriteti nuk negociohet, se shteti nuk përkulet dhe se besimi i qytetarëve nuk shpërdorohet.

Kjo ka qenë busulla ime edhe kur rruga nuk ka qenë e lehtë e jashtëzakonisht sfiduese.

Mbështetja juaj ka qenë e qartë, e zëshme dhe e vazhdueshme.

E kam ndjerë në çdo lagje, në çdo fshat e qytet, në çdo takim, në çdo mesazh dhe në çdo mundësi që kam pasur t’ju takoj.

Ajo mbështetje, mbi të gjitha, ishte besim.

Dhe për këtë besim, përulem para jush me mirënjohjen më të thellë e të përjetshme.

Sepse besimi i qytetarëve është forca që i jep kuptim çdo përgjegjësie publike. Atë besim unë e kam kthyer në besnikëri, ndaj jush, ndaj parimeve të shtetit, ndaj vlerave tona të përbashkëta kombëtare e demokratike. Besnikëri, vetëm e vetëm ndaj Republikës së Kosovës, sovranitetit të saj, pavarësisë së saj e paprekshmërisë së kufijve të saj.

Për mua, thelbësore ka qenë dhe mbetet mbrojtja e interesit të shtetit dhe të qytetarëve tanë, ndërlidhja e historisë së mundimshme e sakrificës së popullit tonë me vizionin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Rugova, nderimi i luftës sonë çlirimtare dhe mbrojtja e aleancave me aleatët tanë të sigurisë të cilët edhe 27 vite pas lufte, së bashku me institucionet tona ende e mbrojnë kufirin tonë me Serbinë. Mbrojtja e aleancës së lirisë me SHBA-të, me vendet evropiane dhe të gjitha vendet paqedashëse gjithandej globit ka qenë dhe mbetet themeli i qëndrueshëm për mbrojtjen e paqes. Unë nuk lëviz nga ky vizion, sepse ky është vizioni i shtetit tonë, ky është vizioni i qytetarëve të vendit tim.

Të dashur qytetarë,

Orientimi im si përfaqësuese e juaja ka qenë dhe mbetet i qartë, ai i Presidentit Rugova: një Kosovë e lirë, e pavarur, demokratike, e integruar në strukturat euroatlantike dhe në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky nuk ka qenë vetëm vizion; ka qenë udhërrëfyesi im i përditshëm. Dhe Kosova e këtyre pesë vjetëve është udhëhequr çdo ditë nga ky orientim i qartë strategjik.

Me përulje të thellë, sikurse çdoherë, edhe sot nderoj heronjtë, martirët e lirisë,  dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; të gjithë ata që u zhdukën me dhunë nga forcat gjenocidale serbe; të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës e të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë vend, sepse liria jonë mban emrin e tyre dhe Republika jonë qëndron mbi sakrificën e tyre.

Këto kanë qenë përhershmëri e veprimeve të mia dhe busulla orientuese e çdo pune, në secilën ditë të angazhimit tim për Republikën tonë të dashur, duke u mbetur përherë besnike parimeve të shtetit tonë, tash në ditën e fundit të mandatit, sikur edhe në ditën e parë të tij.

Sepse një Kosovë që hap dyer jashtë, është më e fortë brenda.

Sepse një Kosovë që dëgjohet në botë, është gjithnjë më e sigurt në shtëpi.

Osmani: Kosova

Në çdo takim, në çdo vizitë, në çdo bisedë me liderë botërorë, kam pasur një mesazh të vetëm: Kosova është republikë sovrane, demokratike, me kufij të paprekshëm dhe e vendosur të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare, si në rajonin tonë, ashtu edhe përtej, dhe një shtet i destinuar për të ardhmen euroatlantike.

Kjo punë nuk është ndalur në asnjë moment. Jam thellësisht krenare që këtë institucion po e lëmë më të respektuar në botë, me dyer të hapura dhe me aleanca të forcuara.

Duke i sjellë Kosovës njohje të reja; duke arritur liberalizimin e vizave me BE-në e me shumë shtete të tjera; duke bërë hapa konkretë drejt integrimit të vendit në BE dhe në Këshillin e Evropës; e po ashtu hapa konkret drejt të ardhmes në NATO, duke siguruar garanca të fuqishme për paprekshmërinë e kufijve tanë; duke ndërtuar partneritete për fuqizimin e ushtrisë sonë; duke e bërë Kosovën pjesë të platformave ku nuk ka pasur qasje më herët, si me pjesëmarrjen historike në Samitin e NATO-s, duke e bërë anëtare themeluese në Bordin e Paqes; duke e kthyer Kosovën në qendër të agjendave globale: nga Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. deri te mbrojtja e fëmijëve në botën digjitale. Duke i përparuar ndjeshëm raportet me vendet e tjera, deri dje hezituese për të krijuar raporte me vendin tonë; duke hapur perspektiva të reja marrëdhëniesh politike me shumë vende të tjera gjithandej rruzullit tokësor, në këto 5 vjet kemi dëshmuar se edhe një shtet i vogël mund të ketë zë të madh.

Sepse ky ishte vizioni ynë që në ditën e parë kur u betova në Kuvend por mbi të gjitha kur u betova para jush: që Kosova të mos jetë vetëm pjesë e tavolinave ndërkombëtare, por edhe kontribuuese aktive në to.

Të dashur qytetarë,

Si Komandante Supreme e FSK-së, kam parë nga afër forcën e vërtetë të këtij vendi: njerëzit tanë në uniformë. Gra dhe burra që nuk kërkojnë duartrokitje, por mbajnë mbi supe sigurinë tonë.

Por e ardhmja kërkon më shumë se arritje. Kërkon edhe vigjilencë.

Jetojmë në një kohë ku e vërteta sfidohet çdo ditë.

Ku propaganda vishet si opinion.

Ku shpifja e manipulimi tenton të zëvendësojë faktin.

Prandaj ju lus: mos e humbni busullën tuaj.

Sepse vetëm kur e vërteta njihet dhe mbrohet, manipulimi humbet fuqinë dhe busulla morale mbetet e palëkundur.

Në javët e fundit, duke ju takuar anembanë Kosovës, kam parë diçka që nuk mund të fabrikohet: besimin që nuk shuhet lehtë.

Por kam parë edhe pritjen e kërkesën tuaj, për më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, të ardhme më të qartë e bashkim rreth vlerave.

Dhe kjo pritje është e drejtë. Sepse Kosova mund të jetë vend i vogël, por është vend me kujtesë të madhe, dhe meriton të ardhme edhe më të ndritshme.

Ndonjëherë, në politikë, pikërisht besnikëria ndaj parimeve, konsistenca ndaj vlerave të popullit tënd, vizioni për të mbrojtur shtetin e për të qëndruar fort përkrah aleatëve të djeshëm e të sotëm, e mbi të gjitha besnikëria ndaj Kosovës, shndërrohet në pengesë për disa.

Në këtë rrugëtim, kam mësuar edhe një të vërtetë tjetër: se ndonjëherë, sfidat më të mëdha nuk vijnë nga jashtë.

Vijnë atëherë kur qëndrueshmëria ndaj parimeve fillon të shihet si pengesë e jo si vlerë si dhe kur besnikëria ndaj shtetit nuk përputhet me interesat ditore.

Dhe pikërisht në ato momente, një udhëheqës duhet të zgjedhë: komoditetin apo integritetin.

Unë besoj fort që kam zgjedhur integritetin.

Sepse për mua, Republika nuk është instrument. Është amanet. Është amanet.

Të dashur qytetarë,

Në çdo takim me ju këto ditë në sytë tuaj pashë mirënjohje, por edhe pritje që Kosova të arrijë akoma më shumë, më mirë, e më shpejt.

Kjo është Kosova jonë.

Një vend i vogël në hartë, por i madh në shpirt.

Një popull që ka mësuar të qëndrojë, të ngrihet dhe të ecë përpara, gjithmonë duke bërë më shumë se sa që pritet prej tij.

Për të gjithë ata që kam takuar: faleminderit nga zemra!

Për ata që nuk kam arritur t’i takoj: rrugët tona do të kryqëzohen, dhe do të jemi bashkë, krah për krah, në sfidat dhe synimet që na presin.

Gjatë këtyre 5 viteve, kemi qëndruar pranë grave, të rinjve, fëmijëve, mërgatës, sportistëve, personave me nevoja të veçanta, komuniteteve jo-shumicë e qytetarëve tanë gjithandej vendit, sepse një Republikë e fortë ndërtohet vetëm kur secili qytetar ndihet i përfshirë, i dëgjuar dhe i përfaqësuar.

Nuk ka thirrje më të madhe se sa t’i shërbesh një kauze më të madhe se vetvetja.

Të jesh Presidente e Republikës së Kosovës do të thotë të jesh mbrojtëse e pakompromis e së kaluarës sonë të lavdishme, luftëtare e përditshme për të tashmen dhe garantuese e vendosur për një të ardhme më të mirë.

Sot përulem para çdo qytetari që na ka besuar. Sepse besimi është valuta më e shtrenjtë e demokracisë, dhe më e lehta për t’u humbur kur e vërteta zëvendësohet me shpifje. Prandaj ju ftoj që së bashku ta mbrojmë të vërtetën.

Ne mund të përballemi me sfida. Mund të përballemi me padrejtësi.

Por kurrë, kurrë, nuk do të përballemi me mungesë guximi. Këtë ua premtoj. Sepse ky popull ka zgjedhur gjithmonë të qëndrojë drejt.

Dhe nëse ka një gjë që kam mësuar nga ju, është kjo: që Kosova nuk është e fortë vetëm kur fiton, por është e pathyeshme sepse nuk dorëzohet kurrë.

Të dashur qytetarë,

Republika jonë do të vazhdojë të forcohet:

për vajzat që po rriten me ëndrra të mëdha,

për djemtë që besojnë në këtë vend,

për nënat e baballarët që sakrifikojnë çdo ditë,

për gjyshërit që e mbajtën gjallë shpresën,

Sepse kjo Republikë është më e madhe se çdo mandat, se çdo individ, dhe më e fortë se çdo moment politik.

Kosova do të ecë përpara. Së bashku do të ecim përpara.

Unë do të vazhdoj të jem me ju, për ju dhe për shtetin që të gjithë së bashku e kemi ndërtuar dhe që do ta mbrojmë përgjithmonë. Do të vazhdoj të jem në anën e Republikës së Kosovës.

Natyrisht që angazhimi politik nënkupton që çmimin e qëndrimeve tona shpeshherë e paguajnë familjet tona. Prandaj dua t’i falënderoj nga zemra dy vajzat e mia dhe bashkëshortin tim si dhe gjithë familjen time që më qëndruan afër në çdo hap, pavarësisht se sa i vështirë bëhej ky rrugëtim. Familja është themeli më i fortë i kësaj shoqërie, dhe vetëm duke ruajtur vlerat familjare që kanë qenë fuqia jonë përherë, ne do të mund ta forcojmë shtetin tonë.

Një falënderim të veçantë dua t’ia shpreh kabinetit tim dhe bashkëpunëtorëve të mi këtu në Presidencë të cilët kanë bërë një punë të palodhshme e të jashtëzakonshme përgjatë këtyre viteve. Falënderoj edhe administratën dhe partnerët e shumtë, që me përkushtim, shpesh larg syrit të publikut, kanë mbajtur peshën e këtij misioni së bashku me ne. Falënderoj institucionet tona, miqtë e Kosovës me të cilët bashkëpunuam për ta bërë Kosovën më të fortë, më të dëgjuar e më të respektuar.

Të dashur qytetarë,

Falënderimi më i thellë gjithnjë ju takon juve.

Faleminderit për besimin.

Faleminderit për mbështetjen.

Faleminderit për dashurinë.

Faleminderit për nderin më të madhe jetësor që më dhatë: t’i shërbej Republikës sonë!

Kosova është dhe do të mbetet e pavarur e sovrane, e paprekshme në kufijtë e saj, e hapur për partneritete e aleanca të vlerave, e pandalshme drejt BE-së dhe NATO-s, dhe përjetësisht krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që secili President apo Presidente në të ardhmen ta ruaj dhe vazhdojë këtë trashëgimi dhe këtë rrugëtim.

Këtë institucion e ndërtoi Presidenti Rugova si institucion të fortë, me integritet e me aleatë. Dhe të tillë, po e lë pas.

Sot largohem nga kjo detyrë, por assesi, assesi, nga përkushtimi për atdheun tonë të dashur.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Ju faleminderit!

 

Haxhiu zotohet të veprojë në përputhje me Kushtetutën si u.d. e presidentes

1 o. më parë / 4 pri 2026 16:21
Albulena Haxhiu

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se gjatë ushtrimit të detyrës si presidente do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke theksuar se e kupton përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese që ka marrë.

Haxhiu falënderoi presidenten e deritashme Vjosa Osmani për angazhimin në shërbim të Kosovës dhe u shpreh se është shumë e rëndësishme që në krye të institucioneve të ketë njerëz me integritet të lartë dhe moral profesional, të cilët në çdo vendim e kanë parasysh shtetin dhe qytetarët.

“Faleminderit për angazhimin në shërbim të Kosovës. Për Kosovën është shumë e rëndësishme që në krye të institucioneve të ketë njerëz me integritet të lartë, moral profesional dhe në secilin vendimin që e marrin e kanë parasysh shtetin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haxhiu teksa pranoi detyrën nga Osmani të shtunën në Presidencë.

Haxhiu theksoi se Kushtetuta nuk i lejon të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj në detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes dhe shprehu shpresën që Kuvendi ta zgjedhë sa më shpejt presidentin e ri, duke theksuar se zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët dhe as për shtetin.

Haxhiu u bëri thirrje deputetëve që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për çështjen e presidentit, duke lënë anash dallimet dhe inatet politike.

“Zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët, as për shtetin. I bëj thirrje deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. T’i lënë anash dallimet politike, inatet politike, t’i vazhdojnë pasi ta zgjedhin presidentin”, shtoi Haxhiu.

Osmani: Po lëmë pas një punë të jashtëzakonshme

1 o. më parë / 4 pri 2026 16:15
Osmani: Po lëmë pas një punë të jashtëzakonshme

“Po lëmë pas punë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Vjosa Osmani në dorëzimin e detyrës së presidentes te kryeparlamentarja Albulena Haxhiu të shtunën.

Në ceremoninë zyrtare në Presidencë, Osmani ka thënë se është e lumtur që postin do ta mbajë një grua, teksa ka uruar që edhe pas Haxhiut në këtë post të jetë një grua.

“Ju dëshiroj mirëseardhje zonja kryetare e Kuvendit dhe nga sonte në mesnatë edhe ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës. Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia të mëdha që kurdo që dal nga kjo zyrë ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë që siç thotë populli ta ngrehni këmbën zhag edhe ju që pas jush të jetë një grua në këtë zyrë. Me besimin e plotë që gratë gjithmonë tregojnë kujdes të veçantë ndaj institucioneve dhe ndaj çdo qytetari të Republikës. Në emër edhe të gjithë bashkëpunëtorëve këtu në Presidencë dhe shumë të tjerë që s’janë këtu tash për momentin, ju dëshiroj shumë suksese për gjatë kohës sa do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës”, ka deklaruar Osmani fillimisht.

Osmani ka thënë se puna e Haxhiut s’do të jetë e lehtë. Ajo po ashtu ka thënë se shpreson që Kuvendi sa më shpejtë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re.

“S’do të jetë punë e lehtë. Edhe unë i kam provuar të dyja më 2021 edhe si kryeparlamentare edhe u.d. e presidentes. Sado që kanë sfida të veta, të jesh kreu i shtetit dhe ta udhëheqësh politikën e jashtme të vendit e ushtrinë e saj, dhe detyra të tjera si përfaqësim i unitetit janë përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe ju dëshirojmë shumë sukses e shëndet në periudhën në vijim. Njëkohësisht shpresojmë shumë që Kuvendi sa më parë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re me shpresën që të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti jonë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon kriza të mëdha. Kur unë kam ardhur në këtë zyrë në nëntor 2020, kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme. Kurse sot po iu lëmë pas një punë të jashtëzakonshme. Do të kemi mundësinë përgjatë takimit të bisedojmë për shumë procese që kanë filluar e përfunduar me sukses, por edhe që kanë filluar e shpresoj që ju t’i vazhdoni. Ka një numër të folderave këtu, 1 për qind të punës sa për të filluar, që mbulojnë edhe politikën e jashtme edhe pjesën e drejtësisë, edhe të mbrojtjes dhe të fushave të tjera. Çka është me rëndësi është se do të jemi në dispozicionin tuaj të plotë unë dhe stafi, çdo ditë 24/7 për çka do që duhet për këtë shtet, informatë, mbështetje që ka nevojë vendi ynë, sepse angazhimi për shtetin s’është i lidhur asnjëherë me pozitat që mbajmë. E nuk do të jetë as tash e tutje. Çka do që keni nevojë jemi vetëm një thirrje larg”, ka thënë Osmani.

Ajo ka deklaruar se institucionin e Presidencës po e dorëzojnë “të fortë, me integritet e aleanca të forta”, duke thënë se si të tillë e ka ndërtuar presidenti Ibrahim Rugova.