Presidentja Vjosa Osmani të enjten ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, me të cilën kanë diskutuar veçanërisht për aktgjykimin e fundit të Gjykatës së Kushtetuese.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për pritshmëritë rreth funksionalizimit të plotë të institucioneve, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Presidentja Osmani dhe Prattipati diskutuan gjithashtu për takimet dhe bisedat e zhvilluara me Presidentin e SHBA-ve, Donald J. Trump, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në New York”, thuhet në njoftim.
Tetë ditë pas vendimit, Gjykata Kushtetuese publikoi të mërkurën aktgjykimin e plotë duke bërë kështu që të nisë rrjedha e afatit të mbetur prej 12 ditësh për konstituimin e Kuvendit. Në arsyetim Kushtetuesja ka legjitimuar ndarjen e votimit të kandidatëve për nënkryetarë e edhe shortin, si dhe e ka kufizuar votimin në më së shumti tri herë për një të propozuar. Ka paraparë edhe mundësinë e konstituimit, në rast se një grup parlamentar apo komunitet refuzon të japë propozim për nënkryetar Kuvendi.