Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar Epopenë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke theksuar se qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari në mars të vitit 1998 në Prekaz i dha një drejtim të ri historisë së Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit për Epopenë e UÇK-së, Osmani ka thënë se muaji mars, i cili në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, për shqiptarët u bë muaj i përballjeve që përcaktuan rrjedhën e historisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas saj, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz u bashkuan qëndresa, sakrifica dhe heroizmi, kur komandanti i UÇK-së Adem Jashari qëndroi në kullën e familjes së tij së bashku me familjarët, duke zgjedhur sakrificën para dorëzimit dhe lirinë para frikës.
Ajo theksoi se gjatë atyre tri ditëve marsi u shndërrua në muaj të epopesë dhe sakrificës që ringjalli një komb të tërë, ndërsa familja Jashari u bë simbol i qëndresës.
“56 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri – kushtrim që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë botën”, ka thënë Osmani.
Presidentja shtoi se Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës së Kosovës, pasi nga Prekaz nisi, siç u shpreh ajo, “orteku i lirisë” që nuk u ndal më.
Osmani theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, ndërsa figura e komandantit legjendar Adem Jashari mbetet kujtesë se liria nuk është dhuratë, por sakrificë.
Ajo u shpreh se familja Jashari mbetet simbol i flijimit dhe i dinjitetit shtetëror, duke shtuar se me qëndrimin e saj të palëkundur vazhdon të qëndrojë në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun.
Haxhiu: Sakrifica e Jasharëve mbeti themel i qëndresës së kombit tonë
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se në marsin e vitit 1998 shtëpia e Jasharëve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë.
Ajo ka thënë se në agimin e 5 marsit forca të shumta policore serbe e izoluan fshatin.
Në fjalën e saj ka thënë se komandanti Adem Jashari dhe të gjithë e dinin se çfarë dite kishte ardhur.
“Në tri ditë luftime e gjithë historia e Kosovës kaloi përmes Jasharëve dhe qëndresës së tyre për të mos u larguar nga toka e tyre. Në atë shtëpi të gjithë bashkë të vetëdijshëm për ata që po vinte, askush nuk u largua. Sakrifica e të gjithë atyre mbeti themel i qëndresës së kombit tonë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se pas Prekazit, UÇK-ja u bë realitet i pakthyeshëm.
Haxhiu ka shtuar se Epopeja nuk është vetëm një ngjarje, por mesazh i përjetshëm se sakrifica për liri mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.
“Toka e Prekazit nuk është e rëndë vetëm për atë që ndodhi aty, ajo është e rëndë sidomos për atë që kërkohet prej nesh. Kërkon maturi, karakter e bashkim kur është shumë e vështirë. Kërkon që liria të mos përdoret por të përparojë”, ka deklaruar ajo.
