Arbëri

Osmani kongresistëve amerikanë: Serbia ende po i përkrah terroristët që kryen agresionin në Banjskë

Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Përditësuar, 15:41 - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim kongresitët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross, me të cilët janë diskutuar ndër të tjera zhvillimet e fundit në Kosovë. 

Osmani në takim ka theksuar nevojën që Kosova të anëtarësohet në NATO. E po ashtu 

“Presidentja Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen në kontinentin evropian. Për më tepër, potencoi se ushtarët e FSK-së tashmë shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në misione jashtë vendit duke kontribuar për paqen e stabilitetin global, e njëkohësisht Kosova ka ndërmarrë hapa vendimtarë në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes e sigurisë, duke shpenzuar tashmë 2% të GDP-së në mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda pak vitesh. Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Presidentja Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve tona të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it. Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garancë e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut”, thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Osmani ka përmendur në takim edhe faktin se Serbia edhe pas më shumë se dy vjetësh vazhdon të mos i dorëzojë autorët e sulmit terrorist në Banjskë të 24 shtatorit të vitit 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. 

“Presidentja Osmani ritheksoi se edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrahë terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, sepse autorët, përfshirë Milan Radojqiqin, nuk i janë dorëzuar drejtësisë. Ajo theksoi se llogaridhënia, si për këtë akt agresioni, ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e sulme të tjera, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen”, thuhet nga Presidenca. 

Kongresistët amerikanë janë takuar edhe me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. 
 


Osmani pret në takim një delegacion amerikan

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Kongresit amerikan. 

Mediat kanë mundur të merrnin pamje në fillim të takimit.

 

 

 

Kurti pret në takim dy kongresistë amerikanë, flasin për thellim bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes

3 j. më parë / 24 nën 2025 13:20
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim kongresistin republikan Mike Turner dhe atë demokrat Donald Norcross.

Në njoftimin të kryeministrisë thuhet se pika qendrore e diskutimeve ishte fuqizimi i marrëdhënieve Kosovë–SHBA, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes.

“Kryeministri njoftoi se në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së, përfshirë edukimin ushtarak në West Point dhe U.S. Army War College. Gjithashtu, Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të ushtrimeve ushtarake Defender Europe. Në edicionin e fundit, përkatësisht në Defender Europe 2025, Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë e vendosur në aeroportin tonë ushtarak në Gjakovë, prej nga ka drejtuar të gjitha brigadat që kanë operuar në Evropën Juglindore”, thuhet në njoftim.

Sa i përket investimeve dhe kapaciteteve mbrojtëse, kryeministri thuhet se ka veçuar prokurimin e pajisjeve ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemeve anti-tank Javelin, si dhe faktin që Kosova ka nënshkruar gjithashtu marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, duke u bërë vendi i 33-të në botë me këtë status të besueshëm.

“Krahas investimeve në mbrojtje, kryeministri u shpreh se Kosova mbetet e palëkundur në orientimin e saj euro-atlantik dhe synimin për anëtarësim në NATO dhe BE, jo vetëm si përfituese nga ombrella e sigurisë, por edhe si kontribuuese në paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit thuhet se është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në rrafshin ekonomik, sidomos në fushën e energjisë dhe të teknologjisë, por edhe në projekte të mëdha infrastrukturore që parashihen të realizohen, si ato në transportin hekurudhor. 

“Kryeministri po ashtu theksoi përparimin ekonomik dhe demokratik të bërë në vend në vitet e fundit, siç dëshmohet edhe nga raportet e organizatave ndërkombëtare, teksa theksoi se Kosova vijon të jetë shembull se përparimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah. Ai shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës dhe falënderimin e tij për kontributin historik, rolin aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të dy kongresistët janë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve (House Armed Services Committee).