Arbëri

Osmani takon presidentin e shtetit që nuk e njeh Kosovën

osmani / etiopia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Etiopisë, Taye Atske Selassie, gjatë Samitit Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Osmani ka vlerësuar se potenciali për bashkëpunim mes të dyja vendeve është i madh.  

“Potenciali i bashkëpunimit midis dy vendeve tona është i madh e në dobi të popujve tanë paqedashës, prandaj shpresojmë që ky bashkëpunim do të rritet e thellohet në të ardhmen e afërt”, ka thënë ajo, njoftoi Zyra e Presidentes.

Etiopia nuk e njeh Kosovën si shtet. 

Katër shtete e kanë njohur Kosovën në vitin 2025. Bahamas ishte i fundit që e njohu pas Sirisë, Sudanit dhe Kenias. Këto katër njohje erdhën pas një rënieje të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para vitit 2025, ishte Izraeli më 2021 që e pati njohur Kosovën shtet.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, vendin e kanë njohur deri më tash 121 shtete.