Arbëri

Pa qeveri e pa buxhet, paralajmërohet bllokadë financiare në sektorin publik

Dështimi për formimin e qeverisë së re ka nxitur shqetësime për funksionimin e shtetit vitin e ardhshëm. Mosmiratimi i Buxhetit për vitin 2026, sipas vlerësimeve të deputetëve dhe ekspertëve, mund të çojë në pezullim të pagesave publike dhe të investimeve kapitale

Pas dështimit të zgjedhjes së qeverisë së re, deputetë e ekspertë të ekonomisë kanë paralajmëruar për një rrezik me të cilin mund të përballet vendi shkaku i mosmiratimit të Ligjit për Buxhetin për vitin 2026.

Albin Kurti të dielën nuk ka marrë aprovimin e kuvendit për një mandat të tretë. 

E pas seancës, kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka thënë se vendi ndodhet para një situate me rrezik të paparashikueshëm. 

“Rreziku që i kanoset vendit në muajin mars, pa qeveri është i paparashikueshëm. Neve na duhet të kemi kuvend funksional sa më shpejt, qoftë edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, që e miraton një buxhet të ri për vitin 2026 dhe që e mundëson funksionimin e shtetit dhe kthimin në normalitet”, ka thënë Krasniqi.

Këtë shqetësim e ka shprehur edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. 

“Mungesa e buxhetit për vitin 2026, marrëveshjet ndërkombëtare që presin për t’u ratifikuar, e shumë e shumë institucione të cilat kanë mbetur ose pa bord, ose pa buxhet, ose pa mbikëqyrje. Pra është një situatë që në vazhdimësi po i afrohemi pikës kritike me afrimin e fundit të vitit fiskal”, ka thënë Murati.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike përcakton se deri më 31 tetor, qeveria duhet ta miratojë Ligjin për Buxhet, e deri më 31 dhjetor ai duhet të kalojë edhe në Kuvend. 

Në fakt, qysh nga marsi, Kosova nuk ka qeveri mandatplotë. 

Ligji për Qeverinë, përcakton se qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të miratojë projektligje, përpos atij për buxhetin. 

Sipas Blendi Hasajt, drejtor në Institutin GAP, nëse nuk aplikohet kjo e drejtë që e lejon ligji, e as nuk zgjaten ndarjet buxhetore deri në mars të vitit 2026, atëherë vendi ndodhet para një bllokade financiare.  

“Ligji për menaxhimin e financave publike lejon që ndarjet buxhetore (të bazuara në ndarjet e vitit 2025) të vazhdojnë automatikisht deri në fund të muajit shkurt të vitit 2026. Pas këtyre afateve, nëse nuk konstituohet Kuvendi, do të bllokoheshin të gjitha pagesat në sektorin publik, përfshirë ato për paga të punonjësve të sektorit publik, realizimin e projekteve kapitale, etj., përveç atyre për servisimin e borxhit publik”, ka thënë Hasaj.

Pas seancës të së dielës, udhëheqësit partiakë kanë shprehur vullnet për zgjedhje të reja para vitit të ri.