Ushqimi që u ofrohet shtatzënave dhe lehonave në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK po kritikohet nga paciente dhe familjarë, shkaku i cilësisë së dobët. Televizionit nuk i është mundësuar gjatë javës hyrja në kuzhinën e spitalit e nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, shefi i kuzhinës e ka quajtur atë relativisht cilësor, marrë parasysh mundësitë buxhetore
Brenda vitit, mijëra shtatzëna lindin foshnjat në Klinikën e Gjinekologjisë, porse jo të gjitha ndahen të kënaqura nga qëndrimi dhe hospitalizimi aty.
Disa ditë më parë, një paciente nëpërmjet rrjeteve sociale kishte ngritur shqetësimin për cilësinë e ushqimit, që u servohet lehonave dhe nënave shtatzëna.
Kishte përshkruar listën e ushqimeve dhe përbërjen e tyre, duke e vlerësuar të mangët.
Për mënyrën e të ushqyerit dhe takimin me pacientet në këtë Klinikë, televizionit nuk i është miratuar leja gjatë javës nga menaxhmenti i SHSKUK-së, me arsyetimin se është çështje e ndjeshme dhe se duhet shqyrtuar.
Megjithatë, disa familjarë të pacienteve, që kanë hezituar të flasin para kamerës, kanë treguar se shkaku që ushqimin brenda nuk e konsumojnë, shpesh u sjellin gjëra e ushqime nga jashtë.
Nutricionisti Agron Rexhepi, thotë se për lehonat duhet përkujdesje e veçantë. Shton se ushqimi në spitale duhet të jetë specifik për sëmundje të caktuara.
“Nuk guxojnë të hyjnë në një ushqim të gjeneralizuar, për shkak se mund të kenë pasoja në zhvillimin e frytit, mund të kenë pasoja në abortin e fëmijëve, ndërkaq sa i përket marrjes së proteinave, këto gjithsesi duhet paraprakisht të mbushen rezervat e grave shtatzëna me vitamina, minerale, por kur është fjala për makronutrientët këto përveç 08 deri 1 gram peshë trupit nevojë që kanë për proteinat, këtu duhen shtuar edhe 10 gramë”, ka thënë nutricionisti, Agron Rexhepi.
Fisnik Dobra, shef i Sektorit të Ushqimit dhe Servimit në QKUK, ka thënë se racionet ushqimore përbëjnë cilësinë dhe sasinë e dietologëve të rekomanduar sipas Universitetit të Harvardit dhe Oxfordit.
“Nëse një ushqim përmban makronutrientët dhe mikronutrientët, promovon shëndetin, funksionimin normal të organizmit dhe rritjen e fëmijëve, atëherë ai nuk mund të quhet ushqim jocilësor. Nëse produktet nga “Fast Food” dikush i kërkon dhe i quan ushqim cilësor, atëherë këtu nuk pajtohemi. Pra ne ofrojmë produkte që përmbajnë në vetvete karakteristikat e mësipërme. Ushqimi i cili shërbehet nga kuzhina e spitalit është relativisht cilësor. A ka vend për përmirësime? Cilësia e produkteve dhe shërbimeve është e varur nga kostoja financiare dhe resurset humane. Nuk mund të ofrosh produkte si peshku salmon apo të ngjashme, përderisa ke një buxhet financiar të kufizuar”, ka thënë Dobra.
Dobra shton se shpesh here, pacientët kërkojnë produkte që bien ndesh me natyrën e sëmundjes.
E në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Pejës, shtatzënat dhe lehonat shprehen të kënaqura me ushqimin.
“Sa e kam pa unë, nuk ka ankesa. Unë qëndroj që një javë këtu. Si nga ushqimi, si për nga kujdesi”, ka thënë Mehrije Gashi, paciente.
Shefi i repartit të Gjinekologjisë, Samoni Loxha thotë se përmirësimi duhet të bëhet në aspektin e kalorive dhe vitaminave, që shtatzënat dhe lehonat i marrin.
“Ne nuk kemi ankesa nga ana e pacientëve rreth ushqimit. Besoj që edhe ushqimi është në raport me kaloritë të cilat kërkohen edhe nga ana mjekësore dhe përgatitja e cila bëhet nga kuzhina e spitalit. Kështu që, me siguri që ka nevojë për përmirësime që është edhe e kërkuar, por sa u përket ankesave ne nuk kemi”, ka thënë Loxha.
Nutricionisti Rexhepi rekomandon që secili spital ta ketë të angazhuar një dietolog klinik. Se a ka një të tillë në klinikat e QKUK-së, në këtë institucion nuk kanë dhënë sqarime.