Mungesa e barnave në Klinikën e Onkologjisë po i detyron pacientët me kancer që disa prej trajtimeve t’i sigurojnë vetë. Përveç ilaçeve për trajtimin e sëmundjes, pacientët thonë se mungojnë edhe flasterët që përdoren për menaxhimin e dhimbjeve të forta. Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë thënë se janë në pritje të liferimit
Flasterët që përdoren për lehtësimin e dhimbjeve të forta te pacientët me kancer, si dhe disa barna kundër përhapjes së qelizave kancerogjene, mungojnë në Klinikën e Onkologjisë, e që të gjitha janë pjesë e Listës Esenciale të Barnave, që nënkupton se sigurohen nga shteti.
Një pacient i diagnostikuar me kancer në prostatë, ka treguar në kushte anonimiteti se më 5 mars, gjatë një kontrolli mjekësor, ishte njoftuar nga stafi se në klinikë ka mungesë të barit Bicalutamid.
Ky është ilaç që përdoret për trajtimin e pacientëve me kancer të prostatës dhe ndihmon në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPacienti të martën është kthyer sërish për të parë nëse bari ka mbërritur, por është informuar se atë duhet ta blejë vetë.
“Atë ditë nuk ka pasur. Erdha sot me shiku a ka, por nuk kishte. Tash më duhet me ble se s’kam kokrra më. Vallah barna nuk po ka gjithmonë, po duhet me i ble. Edhe infuzionin, barnat këtu kurrë të gjitha nuk po i gjejmë”, ka thënë pacienti në kushte anonimiteti.
Mungesë, sipas pacientëve, ka edhe të Fentadurin-it (Durogesic), një flaster që vendoset në krah dhe liron gradualisht ilaçin në trup për rreth 72 orë, duke ndihmuar në menaxhimin e dhimbjeve të forta te pacientët me kancer.
Një pacient tjetër i ka dërguar KOHËS edhe fotografi ku njofton se në Onkologji nuk ka Fentadur.
“As sot nuk kishte Fentadur (Durogesic) në Onkologji”, ka thënë një pacient.
Ai ka dërguar edhe faturën e blerjes së këtij produkti në barnatore, ku shihet se ka blerë pesë copë, e një flaster ka kushtuar 18 euro.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë thënë për KOHËN se për këtë produkt janë në pritje të liferimit.
“Sa i përket furnizimit me produktin në fjalë, ju njoftojmë se kërkesat për furnizim janë lëshuar nga menaxheri i kontratës dhe aktualisht jemi në pritje të liferimit të produktit. Po ashtu, ju informojmë se klinika ka qenë e furnizuar me këtë produkt deri në javën e kaluar”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
E bashkëshorti i një pacienteje me kancer ka treguar për KOHËN se të martën është detyruar të blejë edhe barnat Doxorubicin dhe Cyclophosphamide, të cilat përdoren për shkatërrimin e qelizave kancerogjene dhe ndalimin e përhapjes së tyre.
“Më thanë nuk ka këtu. Në një vend më thanë 78 euro, pastaj dola pak më larg te rrethi dhe të dyjat m’u bënë 55 euro. Pas tri javësh tash i ka edhe katër seanca tjera”, ka thënë ai.
Nga QKUK-ja kanë thënë se për të gjitha këto barna kanë bërë kërkesë dhe janë në pritje të furnizimit.