Pacientët me sëmundje reumatike sërish kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë.
Ata kanë mbajtur takim me sekretarin e ministrisë Naim Bardiqi, shefin e kabinetit Kujtim Salihu dhe këshilltaren Lumturije Bekaj.
Pas takimit pacientët kanë thënë se Ministria ka shprehur gatishmëri për sigurimin e medikamentit “Etanercept”.
Por, pak minuta pasi ka përfunduar takimi, Ministria e Shëndetësisë i ka njoftuar se ka siguruar vetëm 100 njësi.
Në takimin me pacientët, MSH-ja fajin ia ka hedhur SHSKUK-së.
Pacientët me sëmundje reumatike e marrin këtë substancë biologjike me nga dy doza në javë. E që sipas tyre me 100 ampula të siguruara tash përmes një donacioni, javën e ardhshme sërish do të furnizohen me të vetëm 50 pacientë e rreth 60 të tjerë përsëri do të kenë mungesë të tij.
Kompania e cila siguron medikamentin, javën e kaluar kishte deklaruar se janë të gatshëm që përmes donacionit t’i sigurojnë serish edhe 500 ampula siç kishin vepruar në donacionin e parë porse një gjë të tillë nuk e kanë realizuar për shkak të mungesës së lejes për import të cilën ua siguron Ministria e Shëndetësisë. Rrjedhimisht “Santefarm” ka siguruar 100 ampula.
Asnjë nga zyrtarët e Ministrisë që kanë qenë në takim nuk ka dalë për t’u prononcuar për media.