Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientët presin me vite në Ortopedi për një protezë gjuri

Ambulanca specialistike e Ortopedisë

Ambulanca specialistike e Ortopedisë

Pacientët që kanë nevojë për vendosjen e protezave të gjurit po presin me vite në listat e Klinikës së Ortopedisë, ndërsa mungesa e furnizimit po i detyron shumë prej tyre t'i drejtohen sektorit privat. Një 60-vjeçar priti pesë vjet për ndërhyrjen, por pasi gjendja e tij u përkeqësua, u detyrua ta sigurojë operimin me ndihmën e familjarëve dhe miqve

Mungesa e protezave të gjurit në Klinikën e Ortopedisë po i detyron pacientët që, pas vitesh pritjeje, trajtimin ta kërkojnë në spitalet private.

Një zgjidhje te tillë është detyruar ta bëjë një 60-vjeçar, i cili ka pritur pesë vjet t'i vendoset proteza e gjurit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një familjar i tij ka thënë se ai e ka bërë këtë pas përkeqësimit të vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore.

“Si pasojë e atij mos trajtimi, këmba ka filluar t’i dëmtohet dhe gjendja ka ardhur deri në atë pikë sa ka pasur nevojë për vendosjen e protezës. Ai ka hyrë në listën e pritjes dhe ka shkuar çdo gjashtë muaj, madje edhe çdo dy javë, ashtu siç i kishin thënë, por vazhdimisht i kanë thënë: ‘S’kemi proteza, prit’. Është maltretuar duke përdorur antibiotikë dhe barna të ndryshme për t’i qetësuar dhimbjet dhe infeksionet”, ka thënë familjari i pacientit në kushte anonimiteti.

Pacienti 60-vjeçar është edhe person me aftësi të kufizuara. Familjari i tij ka thënë se atë e ndihmuan të afërmit që ta kryejë intervenimin në sektorin privat.

“Pas pesë vjetësh pritje, gjendja iu përkeqësua dhe u detyrua të kërkojë ndihmë privatisht. Me ndihmën e shokëve dhe miqve, ku ka mundur e si ka mundur, ka gjetur zgjidhje për ta operuar këmbën në sektorin privat, sepse nuk kishte rrugë tjetër. Është shumë keq. Shteti ynë duhet të kujdeset për këta njerëz. Ato para nuk janë të shtetit, por janë taksat e qytetarëve, prandaj duhet të ketë kujdes. Kjo është një neglizhencë, ndoshta jo vetëm e mjekëve, por e dikujt më lart në pozita, sepse kështu pacientët po detyrohen të përfundojnë në privat”, ka thënë familjari i pacientit.

Dokumentet mjekësore që Klinika e Ortopedisë ia ka dërguar KOHËS përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi tregojnë se pacienti vuan nga gonartroza e shkallës III, një sëmundje degjenerative e gjurit që shkakton dhimbje të vazhdueshme, vështirësi në ecje dhe kufizim të lëvizjes.

Bëhet fjalë për fazën e parafundit të sëmundjes, ndërsa forma më e rëndë është shkalla IV.

Në përgjigjen e saj, Klinika e Ortopedisë, ka konfirmuar se pacienti vazhdon të jetë në listën e pritjes.

“Pacienti është informuar në vazhdimësi, disa herë, nga personat përgjegjës se Klinika ende nuk është furnizuar me proteza të gjurit. Ai vazhdon të jetë i evidentuar në listën e pritjes dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale pas furnizimit të Klinikës me protezat përkatëse, në përputhje me radhën dhe kriteret e listës së pritjes”, thuhet në përgjigjen e Ortepedisë.

SHSKUK-ja pati hapur më 11 nëntor 2025 një tender në vlerë prej 7.6 milionë eurosh për furnizim me material medicinal për ortopedi, i cili përfshin edhe protezat e gjurit për QKUK-në dhe spitalet rajonale.

Por aktiviteti ishte bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Vetëm javën e kaluar, OSHP-ja e ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e një operatori ekonomik, duke i hapur rrugë SHSKUK-së të vazhdojë procedurat e tenderit.