Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacolli reagon pas përmendjes në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Behgjet Pacolli

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së Granit Plavës, të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili të enjten në Gjykatë u shpreh se i akuzuari tjetër Naim Murseli i pati thënë se për rastin është në dijeni edhe vetë Pacolli.

Pacolli ka thënë se njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që njihen si të këqij nga të gjithë, por mund të jenë edhe ata që i ndihmon shumë e sapo të ndalesh, kthehen kundër me përgojim e pabesi. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka shkruar në Facebook se është distancuar prej kohësh nga disa njerëz, duke aluduar me Murselin, të cilin e ka pasur këshilltar politik gjatë periudhës sa mbante pozitë shtetërore. 

“Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre. Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri. Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij”, ka shkruar Pacolli.

Ai tutje ka thënë se nuk i jep të drejtë askujt ta përdorë emrin e tij për mbrojtje apo pastrim imazhi. 

“Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit. Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika. Por heshtja ime nuk është dobësi. Është refuzim për të rënë në nivelin e atyre që, pasi ushqehen nga mirësia, e kthejnë atë në helm. Dhe në fund, njeriu nuk bëhet i lig nga mungesa e përkrahjes; ai thjesht tregon atë që ka qenë brenda tij gjatë gjithë kohës”, ka shtuar ai.

Plava në deklarimin e tij para gjykatës ka thënë se Murseli i ka premtuar se nuk do të qëndrojë në burg më gjatë se dy vjet dhe për këtë rast është në dijeni edhe Pacolli.

“Sipas fjalëve të Naimit, siç më tha Naimi, më tha se edhe Behgjet Pacolli ishte në dijeni të këtij rasti, e dini çfarë pushteti kemi, më tha. Nuk ka shanse që ai të jetë në burg për më shumë se dy vjet”, ka thënë Plava.