Arbëri

Palokaj: Kosova duhet urgjentisht ta dërgojë në Kushtetuese draftin e Asociacionit

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se Kosova duhet sa më parë ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e statusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas Palokajt, dërgimi i draftit do të mund të shihej si garanci për partnerët ndërkombëtarë, por tha se “këtë s’mund ta bëjë dikush pa pasur një qeveri stabile”.

“Kosova duhet urgjentisht të veprojë duke e dërguar draftin e statusit të Asociacionit në Kushtetuese. Pa e bërë Kosova këtë, çfarëdo gatishmërie e shprehur s’do të kuptohet si gatishmëri e plotë nga partnerët ndërkombëtarë. Këtë s’besoj se mund ta bëjë dikush pa pasur një qeveri stabile me mandat të qartë”, ka thënë Palokaj të hënën në “Interaktiv” të KTV-së.

Korrespodenti i KOHËS ka shtuar se Kosova duhet sa më parë t’i formojë institucionet, derisa tha se me Serbinë ka arritur një varg marrëveshjesh, por jo gjitha zbatohen.

“Takimet në nivele të kryenegociatorëve janë takime për zbatim të marrëveshjeve, për përgatitje e kështu me radhë. Janë një varg marrëveshjesh të arritura, disa zbatohen, disa kanë nisur të zbatohen e disa nuk zbatohen...”, ka thënë Palokaj.

Duke komentuar takimin e së hënës në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të BE-së për dialog, Peter Sorensen, Palokaj ka shtuar se për biseda të tilla s’ka nevojë takim të nivelit të lartë.

Palokaj tha se nuk pret ndonjë marrëveshje të re mes palëve.

“Nuk besoj se mund të shkoj para ndonjë marrëveshje e re apo vendim dramatik sepse s’ka askush fuqi politike për të bërë këtë në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se i dërguari i BE-së s’mund të shtyjë para ndonjë proces “nëse s’do të kishte interesim nga palët”.