Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: Kosova t’i shfrytëzojë mjetet e liruara nga BE-ja, ndryshe mund t’i humbasë një pjesë të tyre

Augustin Palokaj

Korrespodenti nga Brukseli, Augustin Palokaj, ka paralajmëruar se Kosova duhet të veprojë shpejt për të shfrytëzuar fondet e liruara nga masat e Bashkimit Evropian, përndryshe rrezikon që një pjesë e tyre të humbasë pasi përdorimi i tyre ka afate strikte.

Komisioni Evropian të martën (sot) gjatë një debati në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me raportin për Kosovën konfirmoi se tashmë janë liruar të gjitha mjetet financiare që ishin të bllokuara për shkak të masave ndaj Kosovës – të vendosura në qershor të vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Palokajt, procedurat për heqjen e masave ndaj Kosovës kanë përfunduar javën e kaluar, ndërsa konfirmimi u bë sot.

Palokaj ka theksuar se ka qenë e papërgjegjshme minimizimi i ndikimit të këtyre masave nga institucionet vendore, duke nënvizuar se pasojat e tyre kanë qenë kryesisht ekonomike.

Ai ka bërë të ditur se shuma e mjeteve të bllokuara i afrohet gjysmë miliardi euro, të cilat kryesisht kanë ardhur nga instrumentet e para-anëtarësimit të BE-së të dedikuara për Kosovën. Kjo shumë, siç thotë Palokaj, i ka shokuar edhe disa prej vendeve anëtare.

“Po i afrohemi shumës prej gjysmë miliardi që kanë qenë të bllokuara si pasojë e masave. Kjo ka qenë shokuese edhe për disa vende anëtare, të cilat në fillim kanë menduar se Komisioni po vendos disa masa të kufizuara dhe të kthyeshme, sepse ashtu thonin në fillim. Por tani po shihet se pothuajse të gjitha mjetet kanë qenë nga instrumentet e para-anëtarësimit të dedikuara për Kosovën”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Sipas tij, masat kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndërprerjen e projekteve të ndryshme, duke përfshirë ato të shoqërisë civile, reformave në drejtësi dhe projekteve infrastrukturore.

Palokaj ka paralajmëruar se këto mjete kanë afate strikte, pasi disa prej tyre i përkasin viteve 2023 dhe 2024, prandaj Kosova duhet të jetë e gatshme t’i absorbojë sa më shpejt.

“Por ajo që duhet të thuhet se kur janë liruar ato mjete, që kanë qenë disa të dedikuara për vitin 2023, 2024 sepse ato mjetet kanë afat strikt, prandaj Kosova duhet të jetë e kujdesshme që sa më shpejt të jetë e gatshme t’i absorbojë ato mjete sepse disa prej tyre nëse nuk i shfrytëzon me kohë mund edhe të humben. Është e vërtetë që masat kanë pasur pasoja dhe ato mund të ndjehen në të ardhmen”, shtoi korrespodenti i KOHËS.