Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se me takimin e mbajtur sot në Bruksel është dëshmuar se nuk ka kuptim të ketë takime sa për të konstatuar vazhdimin e dialogut.
Në një lidhje direkte në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Palokaj ka thënë se plani i sekuencimit dhe kërkesat e Serbisë që mbështeten edhe nga faktori ndërkombëtar e nxjerrin detyrimin e Kosovës për themelimin e Asociacionit si detyrim të parë, ndërsa detyrimet për Serbinë janë shumë më të vogla.
“Propozimet nuk janë për të ndryshuar marrëveshjen, janë kërkesa të Kosovës për të ndryshuar renditjen në atë planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes, plani i sekuencimit ishte përpiluar që moti nga ish-i dërguari për dialog, Miroslav Lajçak, atë plan pala kosovare e kishte refuzuar sepse plani parashihte që Kosova ta themelonte Asociacionin e pastaj edhe hapat e tjera do të pasonin, ndërkohë që vetë marrëveshja dhe Aneksi i Ohrit thonë se të gjitha pikat e marrëveshjes përmbushen në tërësi dhe renditja e tyre në marrëveshje nuk nënkupton renditjen për nga rëndësia apo për nga prioriteti dhe secila pikë e marrëveshjes duhet të zbatohet pavarësisht nga pikat tjera. E këtu plani i sekuencimit dhe kërkesat e Serbisë që në masë të madhe në këtë rast janë mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar e nxjerrin detyrimin e Kosovës për të themeluar Asociacionin si detyrim të parë, ndërkohë që detyrimet për Serbinë janë shumë më të vogla, e ajo që është më e rëndësishmja për Kosovën, mospengimi nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, është më vonë, diku krejt në fund”, ka thënë ai.
Palokaj ka shtuar se nuk ka ndonjë insistim të vërtetë të Bashkimit Evropian ndaj palëve që ta zbatojnë në tërësi marrëveshjen.
“Ata që përcjellin situatën në Kosovë dhe Serbi nuk kanë ndonjë shpresë se mund të ketë përparim të shpejtë në procesin e dialogut”, ka thënë ai.