Arbëri

Parku i Paqes në Podujevë pritet të bëhet me kinema të hapur

Me kinema të hapur, kënde të lojërave për fëmijë e hapësira tjera për rekreacion pritet të bëhet Parku i Paqes dhe Parku “Manchester” në Podujevë. Punimet në këtë projekt, që hyn në fushën e turizmit, kanë filluar të mërkurën.

“Sot gjatë ditës kanë filluar punimet për zbatimin e kontratës për rregullimin e hapësirave në Parkun e Paqes dhe në Parkun ‘Manchester’. Fillimin e punimeve e ka përcjellë nga afër drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Vigan Salihu. Ky projekt parasheh që të ndërtohet kinemaja e hapur (amfiteatri), ndërtimi i këndit të lojërave për fëmijë, hapësirat për rekreacion si ndërtimi i fushave të ping-pongut, shahut etj.”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.

Sipas zyrtarëve komunalë, ky projekt përfshin edhe pastrimin e hapësirave publike në të dy parqet, vendosjen e pushimoreve, shportave për mbeturina dhe çezmen për ujë të pijshëm.