Reagime kundërshtuese nga të gjitha anët kanë ardhur për projektin që parasheh ndërtimin e dhjetëra vilave në liqenin e Badovcit.
Derisa kundërshtimi qytetar ka arritur kulmin, LDK-së dhe AKR-së u janë dashur plot 19 ditë që të reagojnë për rrezikun që mund t’i shkaktohet ujit, i cili është burimi kryesor për qindra-mijëra banorë të kryeqytetit, raporton emisioni 038 në KTV.
Partia e Isa Mustafës ka qeverisur dy mandate me Prishtinën, ndërsa ajo e Behgjet Pacollit është aktualisht pjesë e ekzekutivit komunal.
Të dyja këto parti kanë shfaqur qëndrimet e tyre kundër projektit vetëm këtë të martë, kur Kuvendi Komunal u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të PDK-së.
Reagimin e vonuar, në LDK e arsyetojnë me pritjet që një mbledhje të jashtëzakonshme do ta thërriste kryetari Shpend Ahmeti.
Në mesin e reagimeve, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi hetime ndaj Komunës dhe Ministrisë për vendimet e tyre.
Ndërsa në AKR thonë se nuk kanë reaguar për ta shmangur politizimin e çështjes së Badovcit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme për Badovcin, këshilltarët komunalë anuluan një pjesë të Planit Zhvillimor Komunal, për zonat një, dy dhe tre të Badovcit.
Aty u miratuan edhe dy rekomandime. Njëri i kërkon Komunës anulimin e kushteve të ndërtimit dhe tjetri rekomandon që pjesë të Badovcit të përfshihen në peizazhin e mbrojtur të Gërmisë.
Me këto votime nuk u pajtua kryetari Shpend Ahmeti, i cili tha se ato nuk japin kurrfarë efekti ligjor.
Ndërsa, si zakonisht, as këtë herë nuk munguan përplasjet ndërmjet Ahmetit dhe ish-bashkëpartiakëve nga Vetëvendosje.
Në seancë, grupet e këshilltarëve komunalë kundërshtuan ndërtimet e paralajmëruara atje.
Por, ndryshe nga qëndrimi i grupit të tij, këshilltari i LDK-së, Shefki Gashi, u deklarua pro ndërtimeve pranë liqenit.
Pas mbledhjes së Kuvendit Komunal, iniciativa qytetare për mbrojtje të Badovcit ka thënë se do t’i drejtohet MMPH-së.