Opozita e legjislaturës së kaluar e ka mirëpritur publikimin e Aktgjykimit në gazetën zyrtare nga Kushtetuesja, tek i ka bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari që ta thërrasë sa më shpejt seancën konstituive. E në Lëvizjen “Vetëvendosje” nuk janë deklaruar rreth Aktgjykimit, mbi të cilin komentoi para se të publikohej kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ngriti dyshime për “padrejtësi”, për shkak se Kushtetuesja u vonua në publikimin e plotë të verdiktit, por shtoi se gjithmonë i kanë respektuar Aktgjykimet
Partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar, e kanë mirëpritur publikimin e plotë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar kryesuesit Avni Dehari që ta thirrë sa më shpejt vazhdimin e seancës konstituive, për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka shkruar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale e jo për zvarritje.
“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të seancës konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar t’i vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit - me votim të hapur. Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime. I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, ka thënë Krasniqi.
Partia Demokratike ka paralajmëruar votë pro për kryeparlamentarin nëse Vetëvendosje propozon kandidatë të tjerë, por jo edhe për ata që kanë qenë pjesë e qeverisë Kurti 2.
Në Lidhjen Demokratike patën thënë se nuk e votojnë asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje, ani se Kushtetuesja ka rikonfirmuar se e drejta e propozimit i takon grupit më të madh parlamentar.
“Siç edhe pritej, për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot e vërtetoi qëndrimin e LDK-së – insistimin tonë të hershëm - se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit. Për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit i tejkaluan kompetencat, e shkelën Kushtetutën dhe e penguan konstituimin e institucioneve të vendit”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Derisa ka munguar një qëndrim zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me Aktgjykimin ka komentuar zëvendësministri i drejtësisë, Vigan Qorrolli.
“Për herë të parë në historikun e saj, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të ashtuquajtur të madh (KO, kërkesa të institucioneve) pa iu referuar asnjë kushtetute evropiane ose botërore dhe as një aktgjykimi tjetër model të gjykatave të saj simotra dhe as Forumit Kushtetues Evropian - ku ajo bën pjesë. Ky është një fakt i pazakontë, por edhe domethënës: asnjë precedent, asnjë rast krahasues, asnjë përvojë e ngjashme nga bota demokratike… Mungesa e krahasueshmërisë në këtë rast tregon se zgjidhja e dhënë nuk ka përkrahje në botën demokratike. Vendimi duket i izoluar, tejet i brishtë dhe i hapur ndaj dyshimeve se është ndërtuar mbi logjikë të brendshme të dobët, jo mbi standarde universale”, ka thënë Qorrolli.
E para se të publikohej ai, në një deklarim për media të hënën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ngriti dyshime për padrejtësi, tek e përsëriti se gjithmonë i kanë respektuar vendimet e Kushtetueses.
“Edhe një herë po e ritheksoj që ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por kësaj radhe për dallim nga 26 qershori e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi aktgjykimin e plotë, i cili po vonohet, të cilin duhet ta lexojmë në tërësinë e tij. Më 26 qershor e kemi pasur në të njëjtën ditë njoftimin edhe aktgjykimin. Tash më 8 gusht e patëm njoftimin, por ja që ende nuk e kemi aktgjykimin. Kur ta lexojmë atë do ta themi vlerësimin tonë meritor. Por nuk është mirë që kemi këtë vonesë, por në bazë të njoftimit, në bindjen time, ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi në versionin e plotë që jemi duke e pritur dhe 26 qershorit të po kësaj përvoje të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se aktgjykimi i plotë i publikuar nga Gjykata Kushtetuese përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt rivendosjes së rendit kushtetues dhe institucional.
“Përmes këtij vendimi, Gjykata i ka sqaruar kufijtë kushtetues të seancës konstituive dhe ka konstatuar se veprimet e ndërmarra dhe seancat e mbajtura pas 26 qershorit ishin në kundërshtim me aktgjykimin e mëparshëm KO124/25. Po ashtu, është konstatuar se Kryesuesi i seancës, në ushtrimin e kompetencave të tij, e ka tejkaluar mandatin kushtetues, duke e ndryshuar rendin e ditës dhe shtyrë përpara veprime që bien ndesh me detyrimet e përcaktuara qartë nga Gjykata. Me këtë vendim, është rikthyer qartësia kushtetuese mbi rolin dhe përgjegjësitë e të gjitha palëve në këtë fazë të ndjeshme politike”, ka thënë KDI.
Thirrje për respektimin e plotë të Aktgjykimit, pasi Kushtetuesja njoftoi për të më 8 gusht, kanë bërë edhe ndërkombëtarët, përfshirë Ambasadën e SHBA-së dhe atë të Gjermanisë.