Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haziri: Bashkëpunimi mes partive, rruga e vetme për t’i dhënë fund krizave politike

Lutfi Haziri

Kandidati i zgjedhur për deputet nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për bashkëpunim partiak dhe institucional, duke e cilësuar atë si zgjidhjen e vetme për të dalë nga ngërçi politik në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri tha se Kosova ka nevojë urgjente për një agjendë të qartë politike, teksa vendi ndodhet në fund të javës së dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, çdo marrëveshje që synon formimin e institucioneve duhet të bazohet fillimisht në një program zhvillimor dhe në një agjendë strategjike për vendin, ndërsa ndarja e përgjegjësive institucionale duhet të vijë vetëm pas arritjes së një konsensusi të gjerë politik.

“Bashkëpunimi partiak e institucional është udha e vetme për ta thyer rrethin vicioz, për t’i dhënë fund krizave politike dhe për ta kthyer stabilitetin në vend”, ka theksuar Haziri.

Ai ka nënvizuar se roli i Kosovës si faktor i stabilitetit rajonal buron nga stabiliteti i brendshëm dhe bashkëpunimi mes forcave politike në vend, duke shtuar se respektimi i vlerave demokratike mbetet thelbësor për këtë rol.

Haziri ka paralajmëruar gjithashtu për pasojat e zgjedhjeve të shpeshta, duke thënë se Republika e Kosovës nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikle zgjedhore dhe se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit politik.

“Një njeri dhe një parti është kauzë e humbur me 17 shkurt. Republika, mbi të gjithë!”, është shprehur ai.