Arbëri

Pas rezultatit zgjedhor, PDK-ja nis përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake

PDK-Hamza

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se PDK-ja e ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilën është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.

“Gjatë kësaj mbledhjeje janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur votën e saj tradicionale. Po ashtu, janë nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet. Si hap i parë drejt ecjes përpara dhe forcimit të mëtejmë të partisë, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se ky proces do të nisë gjatë javëve të ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent, që ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e PDK-së për sfidat politike.

“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, të vazhdojë ngritjen e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, me 20.19 për qind të votave, pas Lëvizjes Vetëvendosje e cila mori 51.11 për qind të votave.