Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas shtrenjtimit të biletave të “Trafikut Urban”, qytetarët ankohen e kryetari i Prishtinës justifikohet

Trafiku urban

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Qytetarët e Prishtinës janë shprehur kritikë ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për t’i rritur çmimet e biletave, për të udhëtuar me autobusë të “Trafikut Urban”. Komuna e ka arsyetuar këtë me ardhjen, siç ka thënë, të shpejtë të autobusëve të rinj e Vetëvendosje e ka lidhur me pagën minimale, që është rritur në të njëjtën ditë me biletat e “Trafikut Urban”

Rezana Bozhlani

Bileta njëdrejtimshe e “Trafikut Urban”, nga 0.50 euro është rritur në 0.80 euro e ajo ditore nga 0.80 euro në 1 euro e 20 centë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vendimi i Komunës së Prishtinës është publikuar të martën, e të mërkurën ka hyrë në fuqi.

Qytetarët, shfrytëzues të linjave të ndryshme të transportit publik, kanë kritikuar Komunën për rritjen e çmimit të biletave.

Besarta Jashari thotë se vendimi nuk është i arsyeshëm.

“Ne çdo ditë si qytetarë po kemi rritje çmimesh edhe të gjerave ushqimore, po tash edhe bileta e Trafikut Urban. Është shumë e rëndë për shkak që po ka persona që iu bie të udhëtojnë çdo ditë edhe ajo shumë që është rritë sado që në parim mund të duket jo shumë, shumë e madhe, por pastaj kur e bën të njëjtën shumë për çdo ditë, masnej ajo grumbullohet dhe është goxha problematike për qytetarët”, ka thënë ajo.

Pakënaqësi ka shprehur edhe Mirsed Krasniqi, tjetër qytetar.

“Do të duhej dhe besoj që edhe kjo do të shoqërohet me një cilësi të madhe të shërbimeve, por sido që të jetë qenka një rritje shumë e madhe”, ka thënë ai.

E, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama vendimin e ka arsyetuar me nevojën për autobusë modernë, blerjen e të cilëve e ka paralajmëruar prej kohësh, por nuk kanë mbërritur në Prishtinë ende.

Ai po ashtu ka thënë se nëse shfrytëzohet “Kuleta digjitale”, atëherë rritja është simbolike.

“Pra, të gjithë qytetarët që i marrin, pa parë se e marrin këtë ‘Kuletën digjitale’, biletën e kanë po them pothuajse të njëjtë ose shumë më lirë sesa nëse e paguajnë kash. Pra është një proces i modernizimit të të gjithë flotës. Tash edhe autobusët e rinj që janë duke ardhur kanë me pasë mundësinë për kështu touch, sistemi për me prekë me telefon apo me kartelë, edhe këto bileta kanë qëndruar të ulëta, pra nuk janë të ngritura”, ka thënë Rama.

Pagesa përmes aplikacionit “Kuleta digjitale”, ofron nga 20 centë zbritje në biletë njëdrejtimshe dhe në atë njëditore.

Por qytetarja Besasrta Jashari vlerëson se duhet ndjekur tjetër rrugë, për të investuar në digjitalizim, e jo nëpërmjet shtrenjtimit të biletës.

“Jam e informuar për ‘Kuletën digjitale’, e kam pa në njoftim të komunës, që ata që paguajnë përmes ‘Kuletës digjitale’, e kanë më lirë se sa ata qe pagujnë direkt në autobus. Arsyetimi i komunës është ta rrit digjitalizimin, por prapë se prapë mendoj se kanë mundur ta bëjnë në një mënyrë tjetër, që mos me pësu rritje”, ka thënë ajo.

Vendimin e ka kritikuar edhe partia opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje, duke e quajtur pa asnjë logjikë ekonomike.

Asamblistja e kësaj partie, Berita Abazi, vendimin komunal e ka lidhur me një të Qeverisë qendrore, që po ashtu ka hyrë në fuqi të mërkurën.

“Natyrisht që rritja e çmimeve prek direkt xhepin e qytetarëve, dhe pikërisht sot në një ditë kur po hyn në fuqi rritja e pagës minimale, menjëherë po merren edhe vendime të tilla të cilat po i rrisin çmimet për qytetarët e kryeqytetit. Ky vendim nuk është diskutuar aspak në kuvendin komunal, ky është një shqetësim i jashtëzakonshëm për qytetarët e Prishtinës, dhe një shpërfillje për secilin qytetar”, ka thënë ai. 

Çmimi i biletave të “Trafikut Urban” është rritur në kohën kur thuajse është stabilizuar çmimi i naftës, që nisi ngritjen më të filluar sulmet e SHBA-së dhe Izraelit në Iran.