Eksperti amerikan, Paul Williams ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale në rastin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës.
Williams ka qenë i angazhuar si këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në proceset e Rambujesë për statusin përfundimtar të Kosovës. Për këtë, është dekoruar vitin e kaluar nga presidentja Vjosa Osmani me medalje presidenciale të meritave.
Ai ka dëshmuar para Komiteteve të Kongresit të SHBA-së lidhur me drejtësinë dhe llogaridhënien për viktimat e konfliktit në Kosovë, përfshirë për dhunën seksuale gjatë luftës.
Gjithashtu, ka bërë analiza dhe opinione për strategjitë e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, dialogun me Serbinë, si dhe për çështje ligjore që lidhen me komunat me shumicë serbe.
Williams është dëshmitari i dytë i mbrojtjes. Para tij, dëshmoi ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Williams: Thaçit i binte telefoni vazhdimisht, mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë
Dëshmitari Paul Williams tha se e ka marrë përshtypjen nga faktorë të shumtë se Thaçi nuk kishte kontroll mbi qëndrimin e tij si kryesues i delegacionit në Rambuje. Williams tha se persona jashtë kështjellës së Rambujesë (v.j vendit ku zhvilloheshin negociatat) ia përcaktonin atij qëndrimet.
“Pra nga njëra anë kishim telefonatat që bënte z. Thaçi, këshilltarët e jashtëm apo palët e treta, për shembull një person shqiptaro-amerikan (v.j Dino Hasani sipas dëshmitarit) apo pjesëtarë të tjerë të UÇK-së që kishin ide shumë të qarta dhe mund ta lexoje pak edhe nga qëndrimi ose paraqitja. Pra ndonjëherë ke një koklavitje apo përzierje të aktorëve, shumë palë të tjera të cilat mua më kanë bërë që të arrij në këtë përfundim. Pra, krijohej përshtypja që dikush i kishte negociatat nën kontroll apo i kishte pjesërisht nën kontroll ato ose nëse ishit në një pozitë as kështu e as ashtu dmth diku në mes. Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat, por mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë dhe mendoj që këto interesta nga jashtë kishin ndikimin e tyre mbi autoritetin ose kontrollin mbi sjelljen e tij gjatë negociatave”, tha Williams.
Sipas ish-këshilltarit të delegacionit të Kosovës, Thaçi u përgjigjej telefonatave vazhdimisht. Këshilltari ligjor tha se konsultohej edhe me të tjerë përfshirë një shqiptaro-amerikan me emrin Dino Hasani.
“Bazë për këtë përfundim janë disa faktorë. Bisedat e shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte vazhdimisht, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhese, kështuqë mund të dilnin lehtësisht në oborrin e kështjellës. Përfshirja ime në fshatin e Rambujesë, pra jashtë kështjellës, kur ka ndodhur negociatat ku unë takohesha rregullisht me një shqiptaro-amerikan që kishte marrëdhënie të ngushtë me UÇK-në dhe me individë apo persona të tjerë që më janë identifikuar si pjesëtarë të UÇK-së, ku ne diskutonim dispozita të ndryshme nga këndvështrimi i juristit, pra këndvështrimi im sa i takon tekstit të marrëveshjes”, tha dëshmitari.
Williams: Delegacioni kosovar e donte fuqizimin e Tribunalit Penal kundër ish-Jugosllavisë
Paul Williams deklaroi në Hagë se delegacioni kosovar ishte i fokusuar në fuqizimin e Tribunalit Penal kundër ish-Jugosllavisë. Sipas tij, TPNJ-ja ishte mekanizëm i drejtësisë që delegacioni kosovar dëshironte që ta kishte në Kosovë.
“Delegacioni i shqiptarëve të Kosovës ishte i përqendruar kryesisht te juridiksioni, qasja dhe fuqizimi i Tribunalit kundër Jugosllavisë. Pra, me fjalë të tjera ata ishin të përqendruar te ky instrument. Si mekanizëm të drejtësisë dëshironin që të kishin vetëm TPNJ-në dhe kjo ishte një pikë e rëndësishme”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Williams u pyet se a kishte ndonjë pikë sa i takon marrëveshjes së Rambujesë që iu kërkonte palëve që të kryenin hetime sa i përket shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
“Jo nuk më kujtohet asnjë dispozitë në marrëveshjen e Rambujesë dhe nuk më kujtohet asnjë dispozitë e tillë në atë dokument”, tha dëshmitari.
Ai gjithashtu u pyet se a ka dëgjuar nga delegacioni kosovar se UÇK-ja duhej të bënte hetimet e veta dhe duhej të jepte ndëshkimet e veta sa i përket krimeve të kryera nga anëtarët e saj.
Por, Williams mohoi se ka bërë biseda të ngjashme me ndonjërin prej anëtarëve të delegacionit shqiptar, amerikan ose Grupin e Kontaktit.
Si pasojë e kësaj, Williams tha se delegacioni kosovar ishte i përqendruar te TPNJ-ja dhe e dëshironin këtë instrument si mekanizëm të drejtësisë.
Delegacioni kosovar në Rambuje kishte propozuar ndjekjen penale të krimeve të luftës, sipas Williamsit
Dëshmitari Paul Williams, tregoi në Hagë se delegacioni kosovar në Rambuje kishte bërë propozime për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas mbrojtjes thuhej se e kishte titullin “Dispozitat e krimeve të luftës të propozuara nga delegacioni i Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mbrojtja tha se ky dokument tregonte për propozimet e delegacionit kosovar lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.
Ky propozim, sipas Williams, ishte përpiluar nga vetë ai dhe Mark Weller që ishte këshilltar ligjor ndërkombëtar që ka punuar në të njëjtën cilësi si vetë ai.
Sipas propozimit, palët pajtohen që të transferojnë përgjegjësitë e tyre tek TPNJ-ja në pajtim me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit.
Në përputhje me rezolutat sipas propozimit, palët janë pajtuar që të arrestojnë, të ndalojnë dhe të transferojnë në paraburgim në TPNJ.
Këto propozime, sipas dëshmitarit, i ishin dorëzuar Grupit të Kontaktit në Rambuje. U tha se këto propozime u bënë në dijeni të plotë me anëtarët e delegacionit.
Verifikimi i këtyre propozimeve, sipas dëshmitarit, u bë edhe nga Fehmi Agani, i cili ishte juristi kryesor i delegacionit kosovar.
Aprovimi i propozimeve, Williamson tha se bëhej nga tre bashkëkryesuesit e delegacionit, dy prej të cilëve ishin Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.
Williams: Thaçi e dinte që UÇK-ja mund të hetohej nga Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë
Dëshmitari Paul Williams duke folur para Gjykatës Speciale për mbështetjen që delegacioni kosovar i ka dhënë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) gjatë bisedimeve në Rambuje, pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së.
Lidhur me angazhimin që TPNJ-ja të ketë mundësinë që të ketë kompetenca të mjaftueshme që të zbatojë mandatin e saj, Williams tha se edhe Thaçi ishte i këtij mendimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ai tha se kjo pasqyron këtë që na intereson edhe neve”, deklaroi Williams për Thaçin.
Dëshmitari pohoi se ishte i vetëdijshëm se bashkëpunimi me TPNJ-në përfshinte edhe hetime potenciale lidhur me UÇK-në.
“Delegacioni i Kosovës që përfaqësonin UÇK-në duke përfshirë edhe Hashim Thaçin kishin mundësinë që të shihnin se si TPNJ-ja vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjës dhe se Tribunali kishte ngritur aktakuzë ndërmjet këtyre palëve”, tha ai.
Ai tha se dihej që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme.
“Situata ishte faktike se Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme që do të përfshinte edhe aktorë të armatosur joshtetëror”, tha ai.
Në draftin e marrëveshjes, dëshmitari tha se shkruhej se prokurorja do të kishte qasje edhe në territorin e Kosovës përveçse në Serbi.
Williams: Në Rambuje përgatita gjuhën që siguronte kompetencat e plota të Tribunalit për ish-Jugosllavinë
Dëshmitari Paul Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Williams tha se ka punuar në mënyrë intensive me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje, si dhe me anëtarë të diasporës kosovare gjatë përgatitjeve të këtyre bisedimeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Sa i takon Rambujesë, më është kërkuar që të përpiloj-përgatisë gjuhën e cila të ishte sa më gjithëpërfshirëse për t’u siguruar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje që të kishte të gjitha kompetencat e veta për të zbatuar mandatin e tij”, tha dëshmitari.
Ai tha se e ftuan që të japë një prezantim në Rambuje për delegacionin kosovar dhe një ndër pikat ishte çështja e TPNJ-së.
“Gjatë ditës së parë ose të dytë kur isha në godinë aty më ftuan që të japë një prezantim delegacionit të Kosovës për katër pika: dhe pika e katër ishte juridiskioni, aktivitetet, hetimet e aktakuzat e TPNJ-së”, tha Williams.
Juristi i së drejtës ndërkombëtare po ashtu tha se delegacioni kosovar iu kërkoi hollësi lidhur me këtë çështje dhe për tema të tjera. Përshtatja e gjuhës në dokumente, sipas tij, iu kërkua nga Fehmi Agani.
Dëshmitari tha se ishte i thirrur që në këtë gjuhën gjihëpërfshirëse ta përfshinte qasjen e mjaftueshme të TPNJ-së për të ushtruar mandantin e saj edhe brenda Kosovës.
“Juridiksioni dhe aftësia e TPNJ-së që të vepronte në mënyrë efektive ishte e rëndësishme për disa arsye; konteksti konkret specifik përpara bisedimeve ishte Masakra e Reçakut dhe prokurorja përpiqej të kishte qasje në Kosovë se nuk kishte vizë. Asaj iu mohua viza. Më kujtohet se ka qenë Masakra e Reçakut dhe ambasadori William Walker që përdori fjalën ‘krime kundër njerezimit’. Prokurorja do të hetonte atje por i thanë që nuk ke vizë”, u shpreh Williams.
Williams tha që arsyet e tjera që lidhen me mbështetjen e plotë të TPNJ-së, ishte edhe të ruhej një barazi morale.