Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, të enjten ka përfunduar dëshminë në Gjykatën Speciale.

Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka thënë të mos e ketë parë Hashim Thaçin si udhëheqës në këto bisedime.

Para tij, ka dëshmuar ish-këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili e përmbylli të mërkurën dëshminë e tij në rastin më të madh të Speciales. Ai theksoi se sa ka qëndruar në Kosovë, gjatë luftës, nuk ka parë asnjëherë ndonjë shtab, batalion apo njësi të UÇK-së.

Shqyrtimi gjyqësor pritet të vazhdojë të hënën me dëshmitarin e radhës të propozuar nga mbrojtja.

Williams thotë se FARK-u do ta mënjanonte UÇK-në

2 o. më parë / 18 sht 2025 13:00
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams tha në Hagë se kryeministri i atëhershëm i Qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi përpiqej të krijonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet shtesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë e dija se kryeministri Bukoshi përpiqej të krijone FARK-un bazuar fillimisht në Shqipëri që përbëhej nga oficerë shqiptarë ose oficerë që kishin shërbyer në Forcat Ushtarake të Jugosllavisë”, tha ai.

Dëshmitari tha se Bukoshi s’i ka kërkuar kurrë këshillë lidhur me FARK-un që ishte një iniciativë e LDK-së për të krijuar një krah lufte.

“Bujar Bukoshi nuk më ka kërkuar kurrë konkretisht këshillë lidhur me FARK-un, por në bisedat tona me Bukoshin dhe ato me diasporën shqiptaro-amerikane ishte pjesë e bisedave që ekzistonte. Ishte pjesë e tensionit të thellë. Ishte ndërmarrje e re e LDK-së për të krijuar një krah të armatosur.

Sipas asaj që e ka kuptuar, Williams tha që FARK-u do të ishte më efikas për shkak se do të përbëhej nga oficerë të ish-ushtrisë jugosllave e për rrjedhojë do e mënjanonte UÇK-në.

“FARK-u do të ishte aktor shtesë i armatosur joshtetëror i cili do të luftonte në emër të popullit të Kosovës. Duke qenë se do të ishte më profesionist, duke qenë se përbëhej nga oficerë të ish-ushtrisë jugosllave dhe kishte gjasa që të bëhej aktori më efikas dhe efektiv i armatosur joshtetëror dhe për rrjedhojë do të mënjanonte UÇK-në”, tha ai.

Dëshmitarin e mori në pyetje edhe gjyqtari Fergal Gaynor, i cili u fokusua tek roli i Thaçit gjatë periudhës së negociatave në Rambuje.

Pas kësaj, Williams mbylli dëshminë.

Williams përfundon dëshminë

2 o. më parë / 18 sht 2025 13:01
Paul Williams

Këshilltari ligjor i delegacionit kosovar në proceset e Rambujesë, Paul Williams, të enjten ka përfunduar dëshminë në Gjykatën Speciale në mbrojtje të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës.

Williams nisi dëshminë dje. Ishte dëshmitari i dytë i mbrojtjes, pas James Rubinit.

Shqyrtimi gjyqësor pritet të vazhdojë të hënën me dëshmitarin e radhës të propozuar nga mbrojtja.

Çka deklaroi Williams në Speciale?

Williams: Thaçi në terren para nënshkrimit të Rambujesë, nuk mundi ta takonte senatorin Dole

2 o. më parë / 18 sht 2025 12:28
Paul Williams

Ish-këshilltari i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara se ish-presidenti Hashim Thaçi ka dalë në terren për të marrë miratim prej komandantëve të zonave. Tha se këtë e di, pasi Thaçi e humbi mundësinë për ta takuar kongresistin Bob Dole.

“Ua them me siguri që ai ka shkuar në terren për të mbledhur nënshkrimet e komandantëve të zonave. Paralelisht me këtë kishte kosto të caktuar politike sa i përket marrëdhënies me Bob Dole sepse ai ishte në terren. Pra, ai ishte në terren dhe nuk e kishte të mundur që të takohej me senatorin Bob Dole dhe kjo pati një kosto domethënëse politike, ndërkohë që unë u sigurova që ai ishte në terren, ishte duke u takuar me komandantët e zonave”, tha Williams.

Dëshmitari Williams i tha gjykatës speciale se për takimet e tij ka dëgjuar edhe nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

“Në qoftë se ju më pyesni se a mund ta vërtetoj ose a kam unë informacion faktik për ta mbështetur ose provuar që z. Thaçi është takuar me komandantët e zonave, përgjigja është jo. Arsyeja pse e kam këtë mendim është sepse kur u ktheva në Washington kam pasur biseda gjerë e gjatë me diasporën shqiptare të Amerikës dhe i kam pyetur se ç’po ndodhte, se cilat ishin zhvillimet dhe më kujtohet që ata më kanë thënë se Hashim Thaçi duhet të kthehej e të fliste me komandantët lokalë. Edhe një herë, janë thashetheme, janë fjalë që mi kanë thënë ata mua, pra se ai po shkon nga njëra zonë te tjetra, po merr nënshkrimet e tyre, ka një letër me vete, e të tjera. Edhe një herë, këtë ma kanë thënë mua shqiptarët e Amerikës dhe po ua them unë juve”, deklaroi dëshmitari.

Duke iu përgjigjur pyetjes të gjyqtarit Guenael Mettraux, se a ka mundur t’i konfirmojë informatat e dorës së dytë apo të tretë me burime të tjera, dëshmitari tha se nuk ka mundur t’i vërtetojë ato në këtë formë.

Williams: Pa komandantët e zonave, Thaçi s’kishte autoritet të vendoste

3 o. më parë / 18 sht 2025 12:08
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams tha në Hagë se Hashim Thaçi nuk e kishte autoritetin që të vendoste vetë.

Madje, ai tha që ka realizuar takime edhe me Adem Demaçin i cili ishte kundër marrëveshjes nëse nuk përmendej pavarësia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përveç kësaj, ai tha se u bë e qartë se komandantët e zonave duhej të bëheshin pjesë e procesit.

“U bë e qartë si drita e diellit se komandantët e zonës duheshin të bëheshin pjesë e procesit”, u shpreh Williams.

Ai gjithashtu theksoi se brenda objektit ku mbaheshin punimet e marrëveshjes së Rambujesë, ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës.

“Brenda përbrenda kështjellës ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës”, tha Williams.

Williams: Bukoshi hezitonte të jepte fonde për UÇK-në, ishin destinuar për diçka tjetër

3 o. më parë / 18 sht 2025 11:26
Paul Williams

Paul Willimas deklaroi se Bujar Bukoshi hezitonte që të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në nga burimet që janë mbledhur nga diaspora, pasi ishin destinuar për diçka tjetër.

“Bujar Bukoshi hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në”, tha Williams, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai shtoi se Bukoshi kishte thënë se këto para ishin destinuar për fuqizimin e arsimit paralel dhe kujdesit paralel shëndetësor.

“Burimet që kishte mbledhur diaspora ishin të kushtëzuara. Ishin mbledhur që të financonin sistemin paralel në Kosovë dhe të financonin kujdesin shëndetësor paralel. Ai më ka thanë që ka dy probleme: I kemi mbledhë këto para nga diaspora për shëndetësinë dhe për arsimin dhe këtu duam t’i shpenzojmë dhe besoj që i përdornin edhe për disa nga refugjatët. Së dyti: nëse doni para për armë, ka forma të tjera për ta bërë këtë dhe përfundimisht në fakt e gjetën një zgjidhje”, tha Williams.

Ai tha që sipas Bukoshit këto mjete ishin caktuar për çka të përdoreshin dhe ishte e papërshtatshme të përdoreshin për diçka tjetër.

“Ai hezitonte për shkak të natyrës konkurruese politike dhe fondeve të kushtëzuara dhe mos e merrni kaq të mirëfilltë se është term amerikan. Ishin caktuar për diçka tjetër dhe ishte e papërshtatshme që të përdoreshin për diçka tjetër kur nuk ishin caktuar për atë fushë”, tha ai.

Përpara kësaj, Williams deklaroi se i kujtohet se patën dalë deklarata publike nga udhëheqja e UÇK-së që i bënte thirrje Bukoshit që të jepte fonde për UÇK-në që i kishte në dispozicion.

LDK-ja sipas dëshmitarit ishte shumë efektive për mbledhjen e fondeve e që pjesë e kontrollimit të këtyre fondeve ishte edhe Bukoshi.

Williams për UÇK-në: Ishte strukturë mbi baza rurale dhe jo e bazuar në rregulla

4 o. më parë / 18 sht 2025 11:18
Paul Williams

Dëshmitari Paul Williams para Gjykatës Speciale deklaroi të enjten se Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo duke u bazuar në rregulla.

Fillimisht, dëshmitari pohoi se Hashim Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave në Kosovë për të nënshkruar marrëveshjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet nëse ekzistonte ndonjë rregullore që e thoshte këtë.

“Nuk kam qenë në dijeni të kësaj dhe do të isha habitur shumë nëse do të kishte ekzistuar diçka me shkrim dhe është një strukturë mbi baza rurale dhe nuk iu vjen në mendje mendoj ky nivel ndërveprimi dhe do të kishte qenë shumë më normative, kulturore më shumë autoritet dhe më pak e bazuar në rregulla”, tha dëshmitari.

Williams tregoi edhe për një rast kur ishte fotografuar Thaçi nga një fotograf francez, e që tashmë i akuzuari thuhet që kishte qenë i shqetësuar se mos po vihej në shënjestër nga Serbia.

 

Willaims: Thaçi kishte presion të jashtëzakonshëm nga komandantët lokalë gjatë Rambujesë

4 o. më parë / 18 sht 2025 11:16
Paul Williams

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në gjykimin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dëshmitari Paul Williams, i është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues.

Në pyetjen e gjyqtarit Chrispoph Barthe, ish-këshilltari juridik i delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me ndikimin e Adem Demaçit, ai u përgjigj se takimi Thaçi-Demaçi në Lublanë të Sllovenisë ishte shumë i rëndësishëm.

Sipas Williams, Demaçi ishte intelektual, shumë i respektuar dhe Thaçi e kishte të domosdoshme që ta takonte.

Dëshmitari Williams tha po ashtu se Thaçi gjatë Rambujesë ishte nën presion nga komandantët lokalë.

“Kishte një presion të jashtëzakonshëm nga komandantët lokalë dhe kishte gjithashtu edhe presion ideologjik dhe kulturor nga Adem Demaçi”, tha ai.

Ai tha se Thaçi e kishte të domosdoshme mbështetjen e tij. Dëshmitari tha se nuk e di se në çfarë forme tregoi Thaçi se nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen në shkurt 1999, por se nga përvoja e tij në këshillim të negociatave, kur negociatori nuk e ka autorizimin për të nënshkruar, ai nuk e shpalos këtë si arsye, por përmend arsye të tjera.

“Përshtypja ime si jurist ndërkombëtar është që se Hashimi nuk ka thënë Paul, jurist, nuk mund ta shkruaj këtë sepse X, Y-i e ai tjetri ka thënë ‘jo’ e nuk mund të bëj gjë pa ata. Asnjë prej klientëve të mi nuk do ta thoshte një gjë të tillë. Por, arsye për të mos nënshkruar, e shpeshherë punoj me akterë të armatosur jo-shtetërorë, thonë: në rregull, nuk mund ta shkruaj për këtë e për këtë, më duhet që kjo të ndryshojë, më duhet të ndryshojë ajo, nuk parasheh pavarësinë dhe për rrjedhojë nuk mund të nënshkruaj”, ka sqaruar Williams.

Williams tregon se si u vendos Thaçi në krye të delegacionit kosovar në Rambuje

4 o. më parë / 18 sht 2025 11:13
Paul Williams

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Paul Williams ka treguar se si u vendos Hashim Thaçi në krye të delegacionit kosovar gjatë punimeve për Konferencën e Rambujesë.

Dëshmitari Williams tha se në fillim të raundit për Konferencën e Rambujesë, delegacioni i Kosovës e kishte kryesinë me tre anëtarë në përbërje me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe Rexhep Qosjen. Sipas tij, rol joformal mori edhe Veton Surroi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se Thaçi u zgjodh me dy vota. Sipas tij, ai e votoi veten dhe e mori edhe votën e Rexhep Qosjes.

“Pyetja juaj ka dy pyetje në një pyetje; me aq sa di tre prej tyre ishin përzgjedhur me konsensus dhe kjo vjen nga procesverbali i takimit të 7 shkurtit që më ka treguar Edita Tahiri. Gjithashtu, më është dhënë dokumenti që më lejonte mua të futesha në kështjellë. Rugova ishte LDK-ja, Qosja nga LBS-ja dhe Thaçi nga UÇK-ja. Vendimi u mor- dy me një. Qosja votoi për Thaçin- Thaçi votoi për veten dhe kjo ishte mënyra se si u zgjodh Thaçi. Dy ishin pro Thaçit dhe një kundër tij”, tha ai.

Willimas tregoi se pse u vendos Thaçi që të ishte kryesuesi i delegacionit.

“Ekzistonte dëshira për procesin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo çështje ishte me shumë shtresa; Rugova ishte pacifisiti dhe Rugova ishte pro pavarësisë. Ai nuk e hapte gojën në qoftë se nuk bihej dakord për pavarësinë. Kishim… e Bukoshit që ishte më e nuancuar dhe punonte me amerikanët dhe me evropianët ndërkohë që kishim edhe veprimin e aktorëve shtetërorë dhe pastaj kishim një dimension tjetër të vetëvendosjes së strategjisë për pavarësinë. Kështu që në negociata ti doje që të kishe një UÇK që tregonte përmes veprimeve dhe fjalëve dhe angazhimeve të veta që ky person i UÇK-së të ishte një negociator, një diplomat që mund të ishte një person ose një partner i besueshëm”, tha ai.

Dëshmitari theksoi kur i këshilluan negociatorët e paqes, iu ka thënë që delegacioni duhet të ketë karaktere të ndryshme dhe vlera të ndryshme në mënyrë të tillë që negociatori të jetë figura kryesore.

Ai tha se negociatat duhet të kenë natyrë kompromentuese, dikush që nuk lëshon pe e po ashtu edhe këshilltar.

Për Rugovën, ai tha se e kishte fjalën “Pavarësinë dhe mospërdorimin e forcës”. Tha se Rugova ka luajtur rol shumë të madh për përfaqësimin e popullit të Kosovës për shkak të ideve pacifiste.

“Roli tij ishte shumë i rëndësishme, idetë e tij ishin pacifiste, por nuk ishte negociator. Nuk negocionte”, tha ai .