Arbëri

PDK-ja i drejtohet Kushtetueses për liberalizimin e tregut energjetik

Gjykata Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese rreth vendimeve të dy shkallëve të gjyqësorit lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, që detyron 1300 biznese që të dalin në treg të hapur.

Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, ka thënë se me këtë kanë kërkuar që të anulohet vendimi i ZRRE-së, i cili sipas tij, rrezikon qindra mijëra vende të punës dhe rrezikon ata pak prodhues dhe ndërmarrës që mbajnë gjallë ekonominë.

“Ky vendim i cili u legjitimua edhe nga shkalla e parë e Gjykata Themelore edhe nga Apeli. Konsiderojmë se i kanë bërë dëmë të madh vendit tonë dhe ekonomisë së vendit tonë. Kemi argumentuar mjaftueshëm mirë që këto vendime të dy Gjykatave të dy niveleve janë vendime që bien në kundërshtim me rendin tonë kushtetues dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj ne sot kërkuam një masë të përkohshme fillimisht nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që të pezullohet implementimi i vendimit, e pastaj të shqyrtohet dhe në tërësi të anulohet”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se kanë kërkuar edhe masë sigurie për të pezulluar njoftimin e ZRRE-së.

Tahiri ka ngritur edhe akuza ndaj Qeverisë për situatën e krijuar në vend.

“Ekonomia e vendit po rrënohet. Kujt i konvenon ky vendim, ju e dini se tani është një grup i ngushtë kriminal fatkeqësisht rreth zyrës së kryeministrit, këshilltar të kryeministrit që shesin energji elektrike. Këto biznese dhe këta njerëz janë të detyruar të blejnë energji rreth 280 për qind më shtrenjtë se sa që e kanë paguar deri tani. Kujt i konvenon kjo. Natyrisht vetëm këtij grupi kriminal që sillet rreth zyrës së kryeministrit”, ka theksuar Tahiri.

ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se nga 1 qershori rreth 1300 biznese do të dalin në treg të lirë të energjisë, duke detyruar që vet të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar nga ky institucion. Vendimi është atakuar në gjykata në bizneset, por së fundmi një vendim i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, vendosi në favor të ZRRE-së, duke mos shtyrë ekzekutimin e daljes në treg të lirë të bizneseve.

Të shtunën, KEDS-i ka shkyçur nga rrjeti bizneset që nuk kanë lidhur kontrata, e që sipas ZRRE-së janë rreth 8 për qind.