Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) refuzoi ankesën e saj lidhur me parregullsitë e pretenduara në procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.
Në reagimin e partisë thuhet se vendimi i PZAP-it është “i padrejtë dhe i pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë”.
Sipas PDK-së, gjatë ankesës janë paraqitur prova dhe dëshmi që, siç pretendohet, tregojnë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar sipas ligjit dhe standardeve demokratike.
PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të ndalet me këtë vendim dhe se do të vazhdojë me hapat ligjorë.
Partia ka paralajmëruar se ankesa e radhës do të dorëzohet në Gjykatën Supreme, si instanca përfundimtare për shqyrtimin e çështjeve zgjedhore.
“PDK është dhe mbetet në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve. Ne kërkojmë vetëm respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës”, thuhet në reagim.