Arbëri

PDK: Kushtetuesja konstatoi se s’ka Kuvend me shkelje e imponim, s’ka votim të fshehtë

PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka këmbëngulur se aktgjykimin i Gjykatës Kushtetuese lidhur me propozimin e kandidatit dhe mënyrën e votimit për kryetar të Kuvendit të Kosovës i jep të drejtë pretendimeve të opozitës.

Në një konferencë për media të shtunën, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se aktgjykimi e përcakton qartë se ndonëse grupi më i madh parlamentar ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, duhet të ketë shumicën e votave.

“Megjithatë, Gjykata thekson se kjo e drejtë nuk është absolute. Ajo është e kushtëzuar me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve, pra  së paku 61 nga 120. Kjo do të thotë se propozimi vetvetiu nuk është i mjaftueshëm, por duhet bashkëpunim me deputetët e tjerë për të siguruar shumicën”, shpjegoi Gruda.

Ai ka deklaruar se Gjykata e ka bërë të qartë se e drejta për të propozuar kryetarin është reale, por nuk mund të çojë në ngërç institucional.

“Gjykata e bën të qartë se e drejta për të propozuar Kryetarin nuk mund të përdoret për të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Me fjalë të tjera, grupi më i madh parlamentar nuk mund të përdorë këtë të drejtë si mjet për të penguar procesin demokratik, duke refuzuar bashkëpunimin apo duke imponuar një zgjidhje njëanshme”, theksoi ai.

Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton u shpreh se Gjykata ka vërejtur se kreu i IV i Rregullores së Kuvendit për konstituimin e Kuvendit, nuk përmban asnjë referencë që parasheh ndryshimin e rendit të ditës ose mënyrës së votimit.

“Rrjedhimisht, Gjykata marrë për bazë vlerësimin dhe konstatimet si më sipër konsideron që zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, sqaroi më tej Fetahu.

Fetahu ka theksuar disa nga konstatimet kryesore të aktgjykimit duke nisur nga rendi i ditës së seancës konstituive, “i cili  është i pandryshueshëm dhe nuk mund të ndryshohet pas fillimit të seancës konstituive, si dhe zgjedhja e kryetarit është e ndarë nga ajo e nënkryetarëve”.

“Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit, në mënyrë që të sigurohet stabiliteti dhe funksionaliteti i institucioneve të shtetit”, theksoi Fetahu.