Botë

Dosjet Epstein: Starmer kërkon falje që i kishte besuar ish-diplomatit Mandelson

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se i vjen keq për viktimat e Jeffrey Epstein dhe po ashtu se i vjen keq që u ka besuar gënjeshtrave të ish-diplomatit britanik, Peter Mandelson. 

Starmer ishte planifikuar të fliste të enjten rreth strategjisë "Krenari në Vend", por e ka filluar fjalimin e tij duke folur për skandalin e Mandelsonit, i cili është përmendur për lidhje me Epstein në dosjet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

“Askush nuk e dinte thellësinë dhe errësirën e marrëdhënies së Mandeslonit me Epsteinin”, ka thënë Starmer. 

Dhe ai përsëri ka akuzuar Mandelsonin se kishte gënjyer gjatë procesit të verifikimit kur ishte emëruar ambasador në SHBA në vitin 2024.

Të mërkurën, Starmer i ka thënë Parlamentit se ishte në dijeni të miqësisë "së vazhdueshme" të Mandelsonit me Epsteinin, i akuzuar për abuzime sekuale dhe trafikim për qëllime seksuale, e i cili vdiq në vitin 2019, kur ai e emëroi atë.