Kryetari i partisë Guxo, Faton Peci,ka mbërritur për takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Para takimit, ai u tha mediave se takimet e tilla janë në funksion të daljes nga bllokada.
“Përpjekja e radhës në përmirësim të gjendjes. Besoj qe këto takime janë në funksion të daljes nga kjo bllokadë. Ne jemi me kontribu brenda mundësive”, tha Peci.
Takimi Osmani-Peci është në kuadër të takimeve që presidentja po i zhvillon në përpjekje për të dalë nga kriza institucionale.
Pas Pecit ajo ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, dhe deputetin Fikrim Damka.
Presidentja takoi të mërkurën në kabinetin e saj, kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Osmani bëri thirrje që të arrihet “sa më shpejt” pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparshme, presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, u tha në njoftimin e Zyrës së Presidencës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, më 3 korrik, në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt por ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit. Deri më tash janë bërë 40 përpjekje, të pasuksesshme.
Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë e kundërshtojnë emrin e Haxhiut si të papranueshëm për këtë pozitë./KosovaPress
Osmani vazhdon takimet me Baljen e më pas me Hoxhën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar takimet sot të cilat vijnë si pasojë e bllokadës në Kuvend.
Ajo është takuar edhe me kryetaren e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje.
Balja nuk është deklaruar para takimit.
Osmani pas Baljes është takuar me kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha.
Osmani takon Krasniqin për ngërçin në Kuvend
Ka nisur takimi i presidentes Vjosa Osmani me kryetarin e Iniciativës së re Demokratike të Kosovës, Elbert Krasniqi.
Takimi vjen pasi më herët gjatë ditës ajo është takuar me anëtarin e Listës Guxo, Fatoni Peci.
Osmani të mërkurën ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Osmani u ka bërë thirrje liderëve të subjekteve politike që sa më shpejt të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
Në njoftim thuhet se liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.