Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara, Stavros Lambrinidis, ka thënë se Serbia nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë të 24 shtatorit të vitit 2023. Në sulmin në Banjskë u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“BE-ja pret që Serbia të marrë të gjitha masat për t’i kapur dhe ndjekur penalisht autorët e sulmit të vitit 2023 në veri të Kosovës. Serbia ka bërë veprime të pamjaftueshme në këtë drejtim”, ka thënë Lambrinidis në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai ka thënë se deklarata e tij mbështetet nga shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet kandidate, përfshirë Shqipërinë.
Ai ka thënë se progresi në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është esencial në rrugën evropiane të të dyja vendeve. Ai ka thënë se BE-ja është e shqetësuar për situatën në veri dhe u ka bërë thirrje palëve të frenohen nga hapat e njëanshëm.
Po ashtu ka folur për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, e ka përshëndetur pjesëmarrjen e gjitha komuniteteve në këto zgjedhje. Ka bërë thirrje për dorëzim të lehtë të pushtetit te kryetarët e zgjedhur në komunat veriore. Po ashtu ka kërkuar nga Kosova që ta lejojë riintegrimin e serhbëve në institucionet e Kosovës.
